31 vjet nga nisma për pajtimin e gjaqeve

 

Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çettës kishte nisur në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që ka marrë përmasa të gjera, duke u përhapur anë e mbanë vendit. Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që ka hyrë në histori si vit i bashkimit dhe i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.

Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes Gjithëkombëtare si përgjigjie ndaj Slobodan Milosheviqit për vetë-emërimin si ‘kral’ i të gjithë serbëve në Fushë Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i paevitueshëm.

Kjo lëvizje ishte emëruar si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe se kryetar ishte zgjedhur Ibrahim Rugova. Rugova ka pasur pranë vetes edhe njerëz të njohur si atdhetarë. Askush nuk ka luftuar për bajraktarizëm, por për atdheun.

Njerëzit në atë kohë në krye me Anton Çettën kanë marshuar para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh… pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiqë, për t’u bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim kanë qenë ata që falnin.

Në ato tubime madhështore që janë organizuar anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit e n´Verra të Llukës, në Shalë e në Karadak, në Llap, Drenicë e Gollak, në Has, Rekë, Podrime, Lapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, kanë treguar se për popullin tonë e atdheun kishte ardhur ora më e madhe e historisë sonë. Falje të gjaqeve vazhdon të ketë edhe tani.

Back to top button