32 magjistra dhe 1 doktor shkence presin për punë!

 
Statistikat e Entit për Punësim në Kërçovë tregojnë se për punë po presin 32 magjistra dhe 1 doktor shkence. Në këtë komunë ka persona që kanë kryer shkollimin e lartë, madje edhe pasuniversitar, e prapë se prapë punojnë krejtësisht diçka tjetër ose nuk punojnë fare.
“Unë kam të kryer magjistraturën në drejtimin e së drejtës së detyrueshme, për momentin nuk jam i punësuar në drejtimin për të cilin kam kryer studimet, por për shkak të ekzistencës punoj punë tjetër që nuk ka asnjë pikë të përbashkët me drejtësinë për fat të keq. Për fat politika jo profesionale e kësaj qeverie, llogaria e pakujdesit për prosperitetin dhe zhvillimin të jetës së të rinjve në RMV, vjen deri në një shkallë ku të rinjtë e Republikës së Maqedonisë nga njëra anë i mbushin statistikat e papunësisë në vendin tonë”, shprehet ky magjistër.
“Të jesh i pa punë pa dyshim se është e vështirë, por të jesh i pa punë dhe të jesh me fakultet është vështirësi e dyfishtë për shkak se je i fyer intelektualisht dhe i anashkaluar profesionalisht”, u shpreh ky i diplomuar.
Në Kërçovë për t’u punësuar presin gjithsej 3552 persona, prej të cilëve 1772 femra, ndërsa 353 janë me fakultet dhe magjistraturë, tregojnë të dhënat në entin për punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
ENTI SHTETËROR PËR PUNËSIM
1 doktor shkencash i evidentuar si i pa punë
32 magjistra, nga të cilët 16 janë gra dhe vajza
320 persona me fakultet prej të cilëve 218 gra dhe vajza
36 me shkollim të lartë, 12 gra dhe vajza
918 me shkollë të mesme, prej të cilëve 420 gra dhe vajza
1974 janë me shkollim fillor
Të rinjtë të cilët kanë kryer fakultet dhe magjistraturë dhe punojnë në drejtime krejtësisht të tjera nga ajo që kanë studiuar, thonë se fajtor për këtë situatë është politika.
“Në Republikën e Maqedonisë, për fat të keq në vend të principeve të aftësisë dhe kualifikimit nuk merren parasysh aftësitë dhe kualifikimet, por një parti e caktuar politike që të arrijmë deri tek një punësim adekuat”.
“E ardhmja e rinisë në këtë vend do të mbetet e zymtë, përderisa diploma e tyre zëvendësohet me librezë partiake”.
Deri në muajin tetor në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut në Entin për Punësim janë evidentuar 134.219 persona të pa punë./21Media

Back to top button