ISIS në prag të humbjes në Mosul

Mosuli po iu kthehet qytetarëve

Forcat irakiane kanë rimarrë rreth 90 përqind të Mosulit perëndimor nga grupi i Shtetit Islamik dhe xhihadistët në qytet janë në “prag të humbjes totale”, thanë të martën zëdhënësit ushtarakë.

Forcat irakiane filluan një operacion masiv për të rimarrë Mosulin nga ISIS-i shtatë muaj më parë, duke luftuar në qytetin që mbahej nga xhihadistët, duke rimarrë anën e tij lindore dhe duke sulmuar perëndimin.

Kolonel John Dorrian, zëdhënës i koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA kundër ISIS, tha se fundi për xhihadistët në qytet është afër.

Fushata për të rimarrë Mosulin është mbështetur nga një fushatë e sulmeve ajrore të koalicionit brenda dhe rreth qytetit. Xhihadistët tani kontrollojnë vetëm disa lagje rreth qytetit të vjetër.

Gjysmë milioni njerëz aktualisht janë zhvendosur si rezultat i betejës për Mosulin dhe rreth 250 mijë civilë vlerësohet të jenë ende të bllokuar në perëndim të qytetit.

Prania e një numri të madh të civilëve, të cilët ose zgjodhën të mos largoheshin ose u penguan nga ISIS, po e ngatërron çdo sulm përfundimtar për të vulosur fitoren në Mosul.

Mburoja njerëzore është bërë element qendror i mbrojtjes së xhihadistëve dhe ISIS në çdo mënyrë po i pengon njerëzit që të ikin nga qyteti madje edhe duke i vrarë ata që kërkojnë të ikin.

Banorët e bllokuar brenda zonave të ISIS -it, të kontaktuar nga AFP, kanë paralajmëruar se ditëve të fundit më shumë njerëz po vdesin nga uria se sa nga luftimet.

ISIS zaptoi zona të mëdha në veri dhe në perëndim të Bagdadit në vitin 2014, por forcat irakiane të mbështetura nga sulmet ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara që nga ajo kohë kanë rimarrë pjesën më të madhe të territorit.

Back to top button