333 kandidatë mbajtën testin kualifikues për 22 prokurorë

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) sot organizoi mbajtjen e Testit Kualifikues, si hap i ardhshëm i procesit të rekrutimit të 22 prokurorëve në prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës, test ky, i cili u mbajt në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.
Në test sipas KPK-së, morën pjesë 333 kandidatë, gjashtë nga komunitet joshumicë, të cilët kanë pasur mundësi që të aplikojnë përmes sistemit online të menaxhimit të dosjeve dhe përmes dorëzimit të kopjeve fizike me email dhe postë të rregullt.
“Me këtë rast, Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, i shoqëruar edhe nga anëtarët e tjerë të komisionit, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, ka mbikëqyrë rrjedhën e plotë të mbajtjes së Testit Kualifikues. Në kuadër të monitorimit dhe vëzhgimit të këtij procesi ishin edhe prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kryeprokurorë të prokurorive të vendit, prokurorë të deleguar nga Prokuroria e Apelit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, prokuroritë themelore dhe përfaqësuesit e partnerëve ndërkombëtarë nga radhët e EULEX-it, OSBE-së, EUKOJUST-it, Akademisë së Drejtësisë së Kosovës dhe shoqëria civile.”, u bë e ditur në komunikatë.
Këshilli Prokurorial bëri të ditur se pas mbajtjes së Testit Kualifikues për rekrutimin e prokurorëve të rinj, do të organizohen edhe fazat e tjera të testimit të përgjithshëm sipas standardeve më të avancuara, të cilat përbëhen nga testi me shkrim dhe intervistimi i kandidatëve./21Media

Back to top button