37 avionë ushtarakë kinezë hyjnë në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit

Tajvani ka aktivizuar sistemet e tij të mbrojtjes, pasi raportoi se 37 avionë ushtarakë kinezë kanë hyrë në zonën e mbrojtjes ajrore të ishullit, disa prej të cilëve më pas fluturuan në Paqësorin perëndimor, në inkursionin më të fundit ajror masiv të Pekinit.

Kina, e cila e sheh Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si territorin e saj, gjatë tre viteve të fundit ka futur rregullisht forcat e saj ajrore në qiellin afër ishullit, por jo në hapësirën ajrore territoriale të Tajvanit, raporton Guardian, përcjell rtv21.tv.

Ministria e mbrojtjes e Tajvanit tha se duke filluar nga ora 5 e mëngjesit kishte zbuluar 37 avionë të forcave ajrore kineze, duke përfshirë luftëtarët J-11 dhe J-16, si dhe bombardues H-6 me aftësi bërthamore, që fluturonin në këndin jugperëndimor të zonës së identifikimit të mbrojtjes ajrore (ADIZ). ADIZ është një zonë më e gjerë që Tajvani monitoron dhe patrullon për t’u dhënë forcave të tyre më shumë kohë për t’iu përgjigjur kërcënimeve.

Disa nga avionët kinezë fluturuan në juglindje të Tajvanit dhe kaluan në Paqësorin perëndimor për të kryer “stërvitje të mbikëqyrjes ajrore dhe navigimit në distanca të gjata”, tha ministria e mbrojtjes e Tajvanit në deklaratën e saj.

Tajvani dërgoi avionët dhe anijet e veta për të vëzhguar dhe aktivizoi sistemet e raketave me bazë tokësore, shtoi ministria në deklaratë, duke përdorur formulimin e tyre standard për mënyrën se si reagon ndaj aktiviteteve të tilla kineze.

Kina përfundoi një fazë të dytë të patrullimeve të përbashkëta ajrore me Rusinë mbi Paqësorin perëndimor të mërkurën, pas fluturimeve të një dite më parë mbi Detin e Japonisë dhe Detin e Kinës Lindore, duke shkaktuar shqetësime në Japoni për sigurinë kombëtare.

Qeveria e Tajvanit hedh poshtë pretendimet e Kinës për sovranitet dhe thotë se vetëm njerëzit e ishullit mund të vendosin për të ardhmen e tyre. /21Media

Back to top button