37 mijë 451 banorë lëshuan vendin gjatë vitit 2024

Tridhjetë e shtatëmijë e katërqind e pesëdhjetë e një (37 mijë 451) banorë lëshuan vendin gjatë vitit dymijë e njëzet e katër (2024).
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) gjatë vitit të kaluar kanë emigruar 37 mijë e 451 banorë, derisa imigruan vetëm 9 mijë e 38 banorë.
“Sipas vlerësimit, gjatë vitit 2024, popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore prej 10,888 banorësh. Vendbanimin (komunën) e tyre e ndërruan 21,513 banorë. Kurse, imigruan në Kosovë 9,038 banorë. Derisa emigruan 37,451 banorë”, bënë të ditur ASK.
Sipas kësaj Agjencie, “Bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) për vitin 2024 ishte -28,413 banorë. Ndërkaq, popullsia rezidente e Kosovës në vitin 2024 u zvogëlua për 17,525 banorë”.
ASK thotë po ashtu se popullsia e vlerësuar e Kosovës në vitin 2024 ishte 1 milion e 585 mijë e 590 banorë rezidentë.
Sipas ASK-së, të dhënat vjetore statistikore për popullsinë (demografinë) janë themelore për studimin dhe përcaktimin e një game të gjerë analizash. Ato përbëjnë komponentin thelbësor për vlerësimin e llogarive kombëtare, punësimit dhe çështjeve të tjera socio – ekonomike.