Edhe Istogu shënon Ditën Ndërkombëtare të Ambientit

Iniciativat e tilla ngritin vetëdijen e qytetarëve për një mjedis më të pastër

Në vazhdën e aktiviteteve të shumta në të gjitha komunat e Kosovës të organizuara nga “Let’s do it Kosovo”, edhe në Istog të mërkurën u shënua me organizime të ndryshme Dita Ndërkombëtare e Ambientit, me ç’rast u tha se iniciativa të tilla ngritin vetëdijen e qytetarëve për një mjedis më të pastër.

Nënkryetari i Komunës së Istogut, Lulzim Blakaj tha se aktivitetet e tilla janë mbështetur financiarisht nga komuna.

“Është organizuar një aksion për pastrimin “Ta pastrojmë Kosovën”. Në kuadër të këtij aksioni edhe Komuna e Istogut e mbështet këtë aksion me një shumë të konsideruar të mjeteve monetare e po ashtu janë angazhuar edhe nxënësit e shkollës fillore që ta përkrahin këtë aksion”, tha Blakaj.

Ai ka bërë të ditur se kanë bashkëpunim të ngushtë me FSK-në dhe Kryqin e Kuq të Istogut. Ndërkaq aktivitetet e tilla, Blakaj tha se ndikojnë pozitivisht në ngritjen e vetëdijesimit për qytetarët e në veçanti te të rinjtë e qytetit.

“Këto po kanë efekte shumë të mëdha. Efekti po shihet edhe në sensibilizimin e nxënësve që është më kryesore, mendoj unë dhe sensibilizimi i qytetarëve që të mbajmë një ambient të pastër dhe ta pastrojmë ambientin në të cilin jemi. Komuna i ka përkrahur këto aksione dhe do t’i përkrahë në vazhdimësi të gjitha aksionet që kanë të bëjnë me pastrimin e qytetit”, ka thënë Blakaj.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Bedri Hasanaj, tha se Istogu si një ndër qytetet më të pastra të Kosovës, organizon aktivitete të ndryshme për mbledhjen e mbeturinave edhe muajve të tjerë të vitit dhe jo vetëm në ditë të caktuara.

Ai shtoi se në Istog vëmendje e madhe po i kushtohet edhe pastrimit të deponive të mëdha të mbeturinave.

Për mirëmbajtjen e deponive të mbeturinave, për Kp foli edhe Sadik Bujupi, drejtor i njësisë operative “Ambienti” në Kosovë.

Ai tha se kujdesen që çdo ditë të bëhet pastrimi dhe heqja e mbeturinave nga deponitë, kështu që sipas tij, është zvogëluar dukshëm numri i deponive të mbeturinave në qytetin e Istogut.

“Një punë që është bërë sot ne e bëjmë çdo ditë pa marrë parasysh a është ditë pune apo feste me punëtorët e njësisë operative “Ambienti” në Istog. Unë sot me punëtorët e mi i jam bashkëngjitur aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” dhe do ta ndryshojmë këtë pasi që është më mirë të themi “Ta mbrojmë Kosovën” nga ndotësit e ambientit”, ka thënë Bujupi.

Edhe nxënësit e shkollës fillore “Bajram Curri”, pjesëtarë të FSK-së dhe Kryqit të Kuq të Istogut ishin pjesë e aktivitetit për pastrimin e qytetit.

Ndryshe, aktivitetet e ditës së sotme në Ditën Ndërkombëtare të Ambientit u zhvilluan nën moton “Mos t’shoh t’u gjujt ma”.

Back to top button