39 ish deputetë do të marrin një vjet rrogë

1 mijë euro për ish deputetin nga Australia

Ish deputeti i VMRO-DPMNE-së i zgjedhur në Australi, Vasko Naumovski, një vit do të marrë pagë rreth 1 mijë euro derisa nuk gjen ndonjë vend tjetër pune. Kërkesën e tij, së bashku me 38 kërkesat e tjera për apanazh, sot i pranoi Komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emërim, shkruan tv21.tv

LISTA E KËRKESAVE TË DORËZUARA PËR APANAZH

VMRO-DPMNE – 13

LSDM – 5

BDI – 7

PDSH – 5

Një e treta e kërkesave, apo 13 sish vijnë nga deputetët e VMRO-DPMNE-së nga përbërja e kaluar. Aleksandar Nikollovski, Gjorgji Koxhobashiev, Pavlle Sazdov dhe Svetllana Jakimovska janë një pjesë e deputetëve të cilët qytetarët shpesh kishin rastin t’i shihnin në foltoren e Kuvendit. Ligji parashikon që deputeti mund ta realizojë të drejtën e pagës madje edhe më gjatë se një vit.

“Deputeti mund të pranojë pagë bazuar në dispozitat nga paragrafi 1 i këtij neni më gjatë se një vit, ndërsa më së paku edhe gjashtë muaj shtesë, në rast se deri atëherë nuk e fiton të drejtën për të dalë në pension. Gjatë kohës së realizimit të kësaj të drejte, deputeti nuk ka të drejtë në të ardhura të tjera personale dhe në kompensim të shpenzimeve”, u shpreh Ilija Dimovski, Kryetar i Komisionit për zgjedhje dhe emërim.

7 deputetët në listën e apanazhit janë nga radhët e BDI-së. Mes tyre janë Zulfi Adili dhe Rafis Aliti nga përbërja e kaluar parlamentare. Në këtë listë gjithashtu janë edhe Ramiz Merko dhe Hazbi Lika të cilët në qeverinë e re u emëruan në postin e zëvendëskryeministrave. Merko dhe Lika do të pranojnë kompensim për periudhën prej pushimit të funksionit të deputetit deri në emërimin në funksionet e reja.

Nga përbërja e kaluar parlamentare, nga radhët e socialdemokratëve, kërkesë për apanazh kanë dorëzuar 5 deputetë. Po aq është edhe numri i ish deputetëve të PDSH-së. Ndërmjet tyre është edhe Gazmend Aliji, emri i të cilit para një viti u gjend në publikimin e Parlamentit “Deputeti im” në grupin e deputetëve që fare nuk kanë diskutuar. Në listë është edhe Orhan Ibrahimi i njohur për përplasjen që kishte me kryetarin aktual të Kuvendit Talat Xhaferin në Komisionin për financa dhe buxhet në gusht të vitit 2014.

Listën e plotësojnë Roza Karevska dhe Sollza Grçeva. Përndryshe, sipas përllogaritjeve jozyrtare, shuma e përgjithshme që duhet të ndahet nga buxheti shtetëror për apanazh është rreth 40 mijë euro në muaj./21Media

Back to top button