429 të vdekur nga cunami në Indonezi

Raportohet se 1 mijë e 485 persona janë lënduar

Numri i të vdekurve pas cunamit të shkaktuar nga shpërthimi i vullkanit Anak Krakatau arriti në 429. Ndërsa, raportohet për 154 të zhdukur.

Sutopo Purwo Nugroho nga agjencia indoneziane e menaxhimit të katastrofave tha se 1 mijë e 485 persona janë lënduar nga cunami i mbrëmjes së të shtunës, shkruan rtv21.tv

“Dëmet mund të rriten… sepse ka disa vende që janë të paarritshme nga rrugët e shkatërruara dhe urat e shembura”, tha Sutopo dhe shtoi se nga cunami janë shpërngulur mbi 16 mijë njerëz dhe janë shkatërruar mijëra ndërtesa, përfshirë edhe hotele.

Të shtunën valë gjigante u përplasën në qytetet bregdetare në ishujt e Sumatra dhe Java. Mendohet se aktiviteti vullkanik shkaktoi rrëshqitjen e dheut nën det, që krijoi më pas valët vdekjeprurëse./21Media

Back to top button