48 orë paraburgim ndaj pesë zyrtarëve policorë për vdekjen e 27-vjeçarit në Lipjan

(Lajm i përditësuar)
48 orë paraburgim ndaj pesë zyrtarëve policorë për vdekjen e 27-vjeçarit në Lipjan
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se u është caktuar masa e paraburgimit pesë zyrtarëve policorë në lidhje me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit.
Në një komunikatë IPK-ja ka thënë se hetuesit e saj në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë e Shtetit janë duke vazhduar të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me vdekjen e një qytetari në Lipjan dhe reagimit të zyrtarëve policorë në këtë incident .
“Sot në orët e mbrëmjes, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë ftuar për intervistim në IPK në cilësinë e të dyshuarve pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor (një rreshter dhe katër zyrtarë policorë). Pas intervstimit të tyre dhe pas administrimit edhe me dëshmitë e tjera që janë siguruar sot pas veprimeve hetimore, që të pesë zyrtarët policorë janë arrestuar si të dyshuar kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të hetimit, IPK-ja ka njoftuar se pritet të ndërmerren edhe shumë veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave lidhur me këtë incident si dhe priten edhe rezultatet e ekzaminimeve përfshirë ato mjeko-ligjore.
Arrestohen pesë policë për “vrasje nga pakujdesia” në rastin e 27-vjeçarit në Lipjan
Pesë zyrtarë policorë janë arrestuar nën dyshimin lidhur incidentin që ka ndodhur pas mesnatës në Lipjan, ku vdiq një i ri pasi u arrestua. Ata dyshohen për “Vrasje nga pakujdesia”.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.
“E konfirmoj se janë arrestuar pesë zyrtar policor për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë detaje sepse mund të dëmtojmë integritetin e hetimeve”, tha Shala. /21Media
Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të përkohshëm për pesë zyrtarët policorë lidhur me rastin e vdekjes së një qytetari në orët e para të mëngjesit në Lipjan.
Sipas një komunikate të IPK-së, hetuesit e saj në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë e Shtetit janë duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me vdekjen e një qytetari në Lipjan dhe reagimit të zyrtarëve policorë në këtë incident sot pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan .
“Në kuadër të veprimeve hetimore përfshihet edhe identifikimi dhe intervistimi i dëshmitarëve okular të këtij rasti si dhe ka filluar mbledhja e provave materiale, incizimeve nga kamerat e sigurisë dhe incizimet nga telefonat mobil. Që të gjitha këto video materiale do të jenë pjesë e ekzaminimeve të detajuara që pritet të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të këtij incidenti por edhe mënyrës së reagimit policor. Në interes të zhvillimit të hetimit, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të përkohshëm për pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor( përfshirë një rreshter dhe katër zyrtarë policorë).”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
IPK bën me dije suspendimi i tyre është masë administrative e përkohshme dhe në këtë fazë nuk paragjykon përgjegjësinë e tyre ligjore apo profesionale.
“IPK në koordinim me Prokurorinë e Shtetit është duke bërë një hetim të pavarur, objektiv dhe të gjithanshëm për të përcaktuar nëse gjatë ndërhyrjes/reagimit policor janë respektuar procedurat ligjore dhe standardet profesionale të veprimit policor. IPK rikujton opinionin e gjerë se rastet e kësaj natyre trajtohen me prioritet të lartë dhe çdo përgjegjësi eventuale individuale apo edhe institucionale do të adresohet bazuar në të gjeturat e hetimit dhe autorizimet ligjore të IPK-së dhe ligjeve të tjera në Republikën e Kosovës.”, thuhet në komunikatë.
Vdekja e dyshimtë në Lipjan, me rastin po merret edhe Prokurori i Krimeve të Rënda
Një ngjarje të rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Lipjan, ku një person ka humbur jetën në rrethana të dyshimta pas një incidenti në rrugë.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala për portalin rtv21.tv ka thënë se për rastin në fjalë është aktivizuar edhe Prokurori i Krimeve të Rënda.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet hetimore si dhe Prokurori i Krimeve të Rënda është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore lidhur me rastin në fjalë, poashtu edhe Inspektoriati i Policisë së Kosovës janë në hetime të vazhdueshme. Me vendim të Prokurorit të shtetit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Për më shumë informacione nuk mund të ofrojmë pasi që mund të dëmtojmë integritetin e procedurës hetimore”, ka deklaruar Shala.
Edhe Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar se sot në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës lidhur me një incident që kishte ndodhur pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan .
Sipas një postimi në rrjetin social Facebook bëhet e ditur se zyrtarët e Policisë së Kosovës kishin reaguar në këtë incident pas pranimit të informacionit për një person të dyshuar në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan i cili më vonë ishte raportuar se ka vdekur.
“Njësitet relevante hetimore policore si dhe prokurori kanë dalë në vendin e ngjarjes, kurse trupi i pajetë i personit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. IPK në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të vlerësoj dhe hetoj reagimin policor në këtë rast përderisa rasti do të trajtohet si “Hetim mbi vdekjen”. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë incident”, thuhet në njoftim. /21Media
IPK nis hetimet për rastin e Lipjanit
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të vlerësojë dhe hetojë reagimin policor në rastin e Lipjanit
“Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar sot në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës lidhur me një incident që kishte ndodhur pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan .
Zyrtarët e Policisë së Kosovës kishin reaguar në këtë incident pas pranimit të informacionit për një person të dyshuar në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan i cili më vonë ishte raportuar se ka vdekur.
Njësitet relevante hetimore policore si dhe prokurori kanë dalë në vendin e ngjarjes kurse trupi i pajetë i personit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.”, thuhet në njoftimin e IPK-ë.
“IPK në kuadër të autorizimeve ligjore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të vlerësoj dhe hetoj reagimin policor në këtë rast përderisa rasti do të trajtohet si “Hetim mbi vdekjen”.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë incident .”, përfundon njoftimi
Sulmoi me automjet kalimtarët, vdiq një person në Lipjan
Një person dyshohet se gjatë mesnatës në rrugën “Hajredin Bajrami “ nën ndikimin e alkoolit, ka sulmuar me automjet dhe kalimtarët.
Rastin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15, ndërsa njësitë policore kanë reaguar menjëherë për ta vënë situatën nën kontroll.
“Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë,” ka thënë Borovci.
“Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, tha Borovci.
Po ashtu ai ka thënë se policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Hetimet janë në vazhdim për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje./21Media