5 muaj që ka filluar projekti, asnjë centimetër asfalt në autostradën Shkup-Bllacë

 

Më 18 maj kanë nisur punimet për autostradës Shkup-Bllacë. Është gërryer një pjesë e tokës, por punimet po shkojnë shumë ngadalë.

Deri tani koordinatori i këtij projekti ishte Bujar Osmani derisa ishte zëvendëskryeministër për integrime, ndërsa tani nuk dihet se kush do të menaxhojë me procedurat që po e frenojnë punën.

Zëvendëskryeministri i parë në Qeveri Artan Grubi para disa ditëve në Click Plus tha se me këtë çështje do të merret Ndërmarrja “Rrugët shtetërore”, ndërmarrje kjo e cila do të udhëhiqet nga kuadër i BDI-së.

“Se pse ky do të jetë një mandat ndryshe, shihet nga resoret për të cilat jemi përcaktuar. Jemi përcaktuar për resoret financiare dhe ekonomike, logjistike dhe infrastrukturë. Kemi marrë ndërmarrjen “Rrugë shtetërore” dhe i kemi si prioritet ato që kanë ngecur. Veçanërisht ato që janë jetike për ne, infrastruktura dhe korridori 8”, theksoi Artan Grubi – Zëvendëskryeministër i parë.

Dy kilometrat e para të kësaj autostrade është duke i realizuar ndërmarrja “Granit” e angazhuar nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore. Drejtori Zoran Kitanov nuk deshi të japë deklaratë për zvarritjen e punimeve dhe nëse do të vazhdojë të jetë drejtor, por na drejtoi te shërbimet. Nga atje ende pa përgjigje.

Si pengesë për punimet për shihen edhe shpronësimet e tokës, ku banorët e Bllacës kanë kërkuar deri në 100 euro, kurse shteti ua ka vlerësuar me 4 euro.

Si prioritet autostradën Shkup-Bllacë e paralajmëroi edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, sipas së cilit, punët do të përfundojnë për 2 vjet, raporton TV21./21Media

Back to top button