5 vjet e 20 ditë burgim dhe mbi 46 mijë euro gjobë ndaj nëntë të akuzuarve për bixhoz dhe shpëlarje parash

Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën ka shpallur aktgjykim dënues për nëntë të akuzuar për bixhoz të paligjshëm dhe shpëlarje parash, duke i dënuar me 5 vjet e 20 ditë burgim dhe 46 mijë e 100 euro gjobë (së bashku) pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, shpalli aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve: Gasper Kaqinari, Skerdi Fero, Lulzim Paqarada, Taulant Palushi, Fisnik Sadrija, Jozef Gjini, Rrezarta Miftaraj-Beqiri, Dardan Arifi dhe Boban Stevanoviq, lidhur me akuzën se në bashkëkryerje kanë organizuar lojëra të fatit – bastore online.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Gasper Kaqinari për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, në mënyrë komulative, si dhe dënim me 2 mijë euro gjobë.

Kurse, për veprën penale “Shpëlarja e parave”, u dënua me 4 muaj burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 8 muaj burgim dhe 3 mijë e 500 euro gjobë.

Po ashtu gjykatësi Hoti, tha se pasi që Gjykata ka shpallur aktgjykim jashtë kufijve të marrëveshjes, i akuzuari mund të paraqesë ankesë për vendimin mbi dënimin.

I akuzuari Skerdi Fero për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 7 muaj burgim dhe 5 mijë e 500 euro gjobë. Për veprën penale “Shpëlarja e parave”, u dënua me 6 muaj burgim dhe 900 euro gjobë, kurse për armëmbajtje pa leje u dënua me 200 euro gjobë.

Sikurse ishte përcaktuar në marrëveshje, ndaj Feros u shpall dënim unik prej 10 muaj e 20 ditë burgim dhe 7 mijë e 300 euro gjobë.

Më tej, të akuzuarit Lulzim Paqarada për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim”, iu shqiptua dënim me 6 muaj burgim, të cilin dënim mund ta zëvendësojë me gjobë, sipas ligjit, si dhe u dënua me 5 mijë euro gjobë.

Kurse, i akuzuari Fisnik Sadrija për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim”, u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë, ndërsa për armëmbajtje pa leje 500 euro gjobë.

Sipas marrëveshjes për pranim fajësie, ndaj Sadrijajt u shpall dënim unik me 6 muaj burgim, të cilin mund ta zëvendësojë me gjobë dhe 5 mijë e 300 euro gjobë.

I akuzuari Taulant Palushi për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Dënimin me burgim, i njëjti mund ta zëvendësojë me gjobë.

I akuzuari Boban Stevanoviq për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Dënimin me burgim, i njëjti mund ta zëvendësojë me gjobë.

Edhe i akuzuari Dardan Arifi për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Dënimin me burgim, i njëjti mund ta zëvendësojë me gjobë.

Njësoj sikurse të tre të lartpërmendurit, e akuzuara Rrezarta Miftaraj-Beqiri për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Dënimin me burgim, e njëjta mund ta zëvendësojë me gjobë.

Po ashtu, i akuzuari Jozef Gjini për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Dënimin me burgim, i njëjti mund ta zëvendësojë me gjobë./BetimipërDrejtësi

Back to top button