50-vjeçari tenton t’i shmanget vaksinës duke përdorur krah të rremë
Një burrë italian, i cili donte një certifikatë vaksinimi kundër Covid pa marrë gjilpërën, u paraqit për vaksinën e tij me një krah të rremë.
Burri, rreth të 50-ve, kishte vendosur një kallëp silikoni që mbulonte krahun e tij të vërtetë, duke shpresuar se do të kalonte pa u vënë re.
Por një infermiere nuk u mashtrua dhe burri tani është denoncuar në polici, transmeton rtv21.tv.
Infermierja tha për mediat lokale se kur i kishte përveshur mëngët, ajo e gjeti lëkurën “të gomës dhe të ftohtë” dhe pigmentin “shumë të lehtë”.
Pasi u zbulua, burri u përpoq të bindte infermieren që të mbyllte një sy. Por në vend të kësaj ajo e denoncoi atë në polici për mashtrim.
Policia lokale po heton tani incidentin në Biella, në veri-perëndim të Italisë dhe zyrtarët lokalë kanë kritikuar veprimet e burrit.
Burri thuhet se ishte një punonjës shëndetësor i cili ishte pezulluar nga puna për shkak se nuk ishte vaksinuar. Vaksina është e detyrueshme për të gjithë punonjësit e shëndetësisë në Itali.
Pak më shumë se 73% e italianëve janë plotësisht të vaksinuar kundër Covid-it – më shumë se në Francë ose Mbretërinë e Bashkuar, por më pak se në Spanjë dhe Portugali./21Media