Në Mal të Zi, Rusia humbi mundësinë për të “pushtuar” Ballkanin

Sipas senatorit amerikan, John McCain

Senatori amerikan, John McCain , është i mendimit se zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, të cilat u zhvilluan në tetor të vitit të kaluar, nuk kanë qenë zgjedhje të zakonshme, ngase ato nga këndvështrimi i Rusisë ishin mundësia e fundit për të pamundësuar anëtarësimin e Podgoricës në NATO.

Në një tekst autorial për mediat malazeze, McCain shkroi se ishte kjo mundësia e fundit që Moska të vendoste dhe të konfirmonte ndikimin e saj në Evropën Juglindore.

Për këtë arsye, nuk kishte asnjë dyshim se Rusia para zgjedhjeve do të ushtronte një trysni të madhe ndaj Podgoricës, duke shtuar se Rusia u akuzua për nxitje të demonstratave anti-qeveritare dhe financim të partive opozitare në Mal të Zi.

“Megjithatë, më ka prekur fakti se sa larg është e gatshme të shkoi Rusia. Por tani e dimë”, shkroi McCain  në artikullin me titull “Pse duhet të ju brengos përzierja e Rusisë? Mos shkoni më larg se tentimi për grusht-shtet në Mal të Zi”.

Ai ndër të tjera shtoi se udhëheqësit amerikanë duhet të marrin shembull nga guximi i udhëheqësve të Malit të Zi, të cilët i rezistuan trysnisë së Rusisë dhe ja arritën qëllimit që të anëtarësojnë vendin e tyre në NATO.

Në anën tjetër, prokurori special i Malit të Zi për kriminalitet të organizuar, Milivoje Katniq, vlerësoi se dëshmitë për përpjekje për grusht-shtet në ditën e zgjedhjeve parlamentare vitin e kaluar, janë të qëndrueshme dhe të pamohueshme.

Ai tha se në këtë komplot ka qenë i përfshirë një element i huaj, i nxitur nga qendrat nacionaliste në Rusi. Fillimi i procesit gjyqësor kundër shtetasve rusë, serbë dhe malazez, nën akuzat për përmbysje të dhunshme të pushtetit, me qëllim të parandalimit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, do të filloi më 19 korrik.

Back to top button