61-vjeçari i dorëzon paratë e gjetura në Polici

Një qytetar nga Ferizaj ka dëshmuar ndershmëri dhe përgjegjësi qytetare duke dorëzuar në polici një shumë parash të cilat i kishte gjetur në rrugë.
Sipas njoftimit, më 12 janar 2026, rreth orës 16:00, në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur qytetari A. Cakolli (61 vjeç), i cili ka dorëzuar një shumë parash të gjetura në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj.
Sipas Policisë, paratë janë numëruar në prani të qytetarit dhe për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa rasti është evidentuar përmes një shënimi zyrtar.
Shuma e parave aktualisht ruhet në stacionin policor në Ferizaj.
Policia ka ftuar pronarin e ligjshëm të këtyre mjeteve që të paraqitet në stacionin policor për verifikim dhe tërheqjen e tyre.
Policia Rajonale e Ferizajt ka falënderuar qytetarin A. Cakolli për gjestin shembullor dhe human, duke e cilësuar atë si një shembull të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare.