Arrestohet një person që kishte paralajmëruar vrasjen e Makronit

Pas kërcënimeve në internet

Policia franceze ka arrestuar një mashkull, për të cilin u theksua se kishte planifikuar vrasjen e Presidentit të Francës, Emanuel Makron, gjatë paradës ushtarake e cila organizohet me rastin e Ditës së Bastiles, më 14 korrik.

Mediat raportuan se bëhet fjalë për një 23 vjeçar, i cili është arrestuar në rajonin e Parisit, pas deklaratave të cilat i kishte bërë në një faqe të video-lojërave në internet se synon të blejë një pushkë automatike dhe të vret Makronin me rastin e ditës kombëtare të Francës.

Biseda e tij në internet alarmoi menjëherë policinë, e cila e arrestoi fundjavën e kaluar. Mediat njoftuan se mashkulli, i cili e ka cilësuar vetën si nacionalist dhe të afërt me ekstremin e djathtë, ka rezistuar gjatë aksionit për arrestimin e tij dhe se në banesën e tij policia ka gjetur disa thika.

I arrestuari, i cili është i papunë dhe mendërisht jostabil, i ka thënë hetuesve që ka qenë i vendosur që të zbatoi planin e tij për vrasjen e Makronit. Nuk do të kishte qenë kjo hera e parë që dikush do të kishte tentuar të vriste presidentin e Francës, gjatë paradës e cila tradicionalisht organizohet më 14 korrik.

Neo-nazisti dhe ithtari i ekstremit të djathtë, Maksim Brineri, tentoi që më 14 korrik të vitit 2002 me një pushkë të thjeshte të vret presidentin e atëhershëm, Zhak Shirak./21Media

Back to top button