6684 nxënës dhe 1489 mësimdhënës pozitivë me COVID-19

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se aktualisht pozitivë me COVID-19 janë 6684 nxënës dhe 1489 mësimdhënës.
Nagavci ka thënë se rreth 90 shkolla po punojnë në mësimin në distancë (online).
“Nga 775 institucione edukative-arsimore janë 90 shkolla që punojnë sipas skenarit C. Ndërsa sa i përket rasteve aktive, sipas raportit të sotëm janë 1489 mësimdhënës që janë pozitivë me virusin COVID, janë 187 persona që janë personel tjetër dhe janë 6684 nxënës që janë pozitivë dhe aktualisht janë të izoluar”, ka thënë  Nagavci në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po diskutohet për pandeminë COVID-19.
Ajo ka thënë se situata nuk është e njëjtë në gjitha shkollat dhe komunat, prandaj kanë vendosur kriteret se kur një shkollë mund të shkojë në mësim online.
Sot në Kosovë si pasojë e infektimit me Covid-19 kanë vdekur gjashtë persona. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në mesin e viktimave është edhe një fëmijë i grupmoshës 0 deri në 9 vjeç. 
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 3.917 raste të reja, ndërsa grupmosha që është infektuar më së shumti është grupmosha 10 deri në 19 vjeç, gjithsej 955 raste./21Media
 

Back to top button