70 vjeçarja kërkon ndihmë, jeton e vetme dhe me borxhe

“Mezi shkoj në doktor. Më dhemb gjithçka, kam reumë, më dhemb krahu, ndërsa këmbën assesi nuk mund ta lëvizë, e kam nga reuma apo nga sheqeri nuk di”

70 vjeçarja Rabije Sali, pas vdekjes së bashkëshortit të saj para pesë muajve, tani jeton e vetme në një shtëpi të vjetër, me mure të plasaritura, por edhe me shumë borxhe. Pjesa më e madhe e parave që i ka borxh janë për faturat e papaguara për rrymë dhe ujë. Ajo thotë se me pensionin që e merr nuk mund t’ia mbulojë të gjitha faturat.

“Kam pension, por ai është shumë i vogël, ndërsa kam borxhe të mëdha. Bashkëshorti im ishte i sëmurë nga kanceri dhe ndërroi jetë para pesë muajve. Tani këto borxhe duhet t’i paguajë unë. Njerëzit vijnë t’i kërkojnë paratë e tyre, por unë nuk kam. Vetëm për ujë duhet të paguajë 12 mijë denarë. Të mos flas për faturat e rrymës. Nuk mund të blejë as bukë sepse duhet t’i paguajë faturat. Çfarë do të ngelet për ushqim? Nuk zgjedh, ha bukë me domate”, tha Rabije Sali.

Shtëpia ku ajo jeton është e vjetër, ndërsa tavani duket se do të bjerë në çdo moment. Rabija është e sëmurë dhe nuk mund të kujdeset për pastërtinë e shtëpisë. Nuk di se nga çfarë vuan, sepse siç thotë, nuk mund të lëvizë vetë dhe për këtë arsye, rrallëherë shkon në spital.

“Mezi shkoj në doktor. Për më tepër, ata më dhanë recetë ndërsa unë nuk mund t’i blejë barnat. Më dhemb gjithçka, kam reumë, më dhemb krahu, ndërsa këmbën assesi nuk mund ta lëvizë, si të kisha ndonjë sfungjer. E kam nga reuma apo nga sheqeri nuk di”, shtoi ajo.

Rabija thotë se përveç një gruaje që i ndihmon, askush tjetër nuk vjen për ta vizituar. Ajo u bën thirrje njerëzve humanë për të ndihmuar, që vitet e fundit të jetës së saj t’i kalojë në kushte normale, raporton TV21./21Media

Back to top button