7 deputetë të rinj hyjnë në Kuvendin e Maqedonisë

6 nga LSDM dhe një deputetë i ri nga VMRO

Gjashtë deputetë të LSDM ku bën pjesë e mandatari Zoran Zaev do të lëshojnë karriget e deputetit, ndërsa tanimë dihen zëvendësuesit e tyre, në bazë të njësive zgjedhore.

Kryetarja e Ripërtëritjes Demokratike të Maqedonisë, Liljana Popovska është njëra nga kandidatet që do të përfitojë, pasi që ajo është e radhitur në listën për deputetë në njësinë e parë zgjedhore. Ajo do rikthehet në Kuvend në vend të Damjan Mançevskit, i cili është caktuar si ministër i shoqërisë informatike dhe administratës, shkruan TV21.TV

Në njësinë e parë zgjedhore përfiton edhe Nikica Korubin nga Partia Liberal – Demokratike, që për herë të parë do të ulet në karrigen e deputetit, në vend të Renata Deskovska, e cila do të marrë drejtimin e Ministrisë së Arsimit.

Në njësinë numër 2 , vendin e Oliver Spasovksit, që do të udhëheq me MPB, do ta zë i nënti në listë, Mirosllav Jovanoviç.

Nga njësia numër 3, emri i ri do të jetë Sllavica Shumanska-Miteva, e cila do të ulet në vendin e ministrit të ardhshëm të bujqësisë, Ljupço Nikollovski.

Vendin e kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, në njësinë numër katër do ta zë i 11-ti në listë, Sashko Atanasov, ndërsa numri 10 i njësisë zgjedhore numër 5, Beti Rabaxhievska-Naumovska do të vijë në vend të ministres së ardhshme të mbrojtjes, Radmilla Shoqerinskës.

Ndërkohë, një deputet i ri do të ulet në kuvend edhe nga radhët e VMRO-DPMNE, pas dorëheqjes së deputetit Nikolla Todorov. Nevenka Stamenkovska është në listë me radhë që do të ulet në vendin e Todorovit, i cili do ti kthehet jetës private dhe profesionit të avokatit. Nga partitë shqiptare BDI dhe Aleanca për Shqiptarët nuk ka ndryshime pasi që asnjëri nga deputetët nuk është përfshirë në pushtetin ekzekutiv./21Media

Back to top button