80 prokurorë të angazhuar në raundin e dytë të zgjedhjeve

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për të siguruar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe integritetin e procesit zgjedhor në raundin e dytë të zgjedhjeve, që do të mbahet të dielën, më 9 nëntor.

Në kuadër të këtij procesi, janë angazhuar rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të jenë në kujdestari në të gjitha komunat e Kosovës gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve, deri në përfundim të procesit, për të vepruar menjëherë në rast të ndonjë parregullsie.

“Prokurori i Shtetit është i përkushtuar të garantojë një proces të drejtë dhe transparent, duke proceduar çdo rast që cenon ligjshmërinë e zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu, qytetarët, subjektet politike dhe organizatat janë ftuar që të denoncojnë çdo rast të dyshuar për keqpërdorim apo manipulim të votës në prokuroritë përkatëse.

“Çdo dyshim për keqpërdorim të votës duhet të denoncohet menjëherë. Mbrojtja e procesit zgjedhor është detyrë ligjore dhe qytetare,” thuhet në thirrjen e Prokurorit të Shtetit.

Back to top button