9 korriku më i ftohtë nga viti 1979

Masa të ftohta ajrore që depërtuan ditën e djeshme mbi rajon, zbritën ndjeshëm temperatura nga vlerat mesatare për muajin më të nxehtë veror, korrikun.
Siç informoi sot Prishtina Weather, temperatura maksimale, ditën e djeshme në aeroportin e Prishtinës ishte vetëm 17 C, derisa në stacionin personal në lartësi mbidetare prej 680m, në Prishtinë, temperatura maksimale ishte 16.1, e shënuar rreth orës 15.
Me këtë temperaturë zyrtare prej 17 C, po del që kjo ditë e 9 korrikut ishte më e ftohta e regjistruar në Prishtinë që nga viti 1979, kur edhe atë ditë, sipas vrojtimeve,  temperatura ka qenë 17 C. E ftohtë ka qenë edhe dita e 9 korrikut më 1998 me 17.6 C, regjistruar në stacionin meteorologjik në Prishtinë.
Krahasuar me vitet e shkuara, sipas parashikimeve, këso temperatura kaq të ulëta në dhjetëditëshin e parë të korrikut, pra nga 1 deri më 10 korrik, nuk janë regjistruar që nga vitet 2011 dhe 2010, kur më 2 korrik të vitit 2011, në aeroportin e Prishtinës temperatura maksimale ka qenë 18.2 C, më 8 korrik 2010 vetëm në 17.5 C.
“Temperatura maksimale më e ulët në dhjetëditëshin e parë të korrikut, në bazë të shënimeve të vrojtuara, është më 2 korrik të vitit 1975, me 16.1 C.”, është bërë e ditur në njoftim.
Ndërkohë që për këtë javë parashihet të mbajë mot jo shumë i ngrohtë, me temperatura maksimale ndërmjet 22 C e 25 C, por që në bazë të tendencave, javën e ardhshme mund të kemi temperatura mjaft të larta mbi 30 C, e ndoshta edhe mbi 35 C./21Media

Back to top button