​BE-ja në Kosovë mirëpret miratimin e Ligjit për dhunën në familje

BE-ja në Kosovë mirëpret miratimin e Ligjit për dhunën në familje, dhunën me bazë gjinore dhe dhunën ndaj grave nga Kuvendi i Kosovës më 21 shtator, duke thënë se ky është një hap përpara drejt një sistemi më efikas për parandalimin e dhunës së tillë dhe mbrojtjen e të mbijetuarve.

Ai (ligji) parashikon përgjegjësi dhe masa mbrojtëse të përforcuara institucionale, siç parashikohet në Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Konventa e Stambollit), legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, thuhet në deklaratë.

Është thelbësore për Kosovën që tani të zbatojë me shpejtësi ligjin në përputhje me Kodin Penal, Konventën e Stambollit dhe legjislacionin e BE-së.

BE u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të ndajnë burimet e nevojshme dhe të garantojnë një proces gjithëpërfshirës të konsultimeve publike për hartimin e akteve nënligjore, duke përfshirë siç duhet organizatat e shoqërisë civile.

BE në Kosovë rikonfirmon gatishmërinë e saj për të mbështetur Kosovën në zbatimin e ligjit.

Back to top button