Peci në takimin e ministrave të Evropës Juglindore: Vizat po dëmtojnë bashkëpunimin

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural,( BPZhR) Faton Peci ka marrë pjesë në Takimin e 17-të Vjetor të Punës së Ministrave të Bujqësisë nga Evropa Juglindore (EJL), i cili është mbajtur në Jahorinë të Bosnjës dhe Hercegovinës, njofton ministria e BPZhR-së.
Ministri Faton Peci përmes një fjalimi para Ministrave të tjerë nga rajoni dhe përfaqësuesve nga shtetet e BE-së si dhe Komisionerit të BE-së për Bujqësi theksoi se sikur edhe në çdo fushë të qeverisjes, ashtu edhe kur bëhet fjalë për zhvillimin e bujqësisë dhe perspektivat e zhvillimeve të përgjithshme që lidhen me të, bashkëpunimi ndërkombëtar është çelësi i përparimit, thjesht sepse na mundëson të mësojmë nga njëri-tjetri si dhe të ndajnë përvojat më të suksesshme.
“Angazhimi im për të marrë pjesë në takimin e sotëm, mund të ndikohej lehtësisht nga banalitetet e pengesave politike. Nevoja për të marrë një vizë për të më mundësuar hyrjen në Bosnje-Hercegovinë mund të duket jashtë temave për të cilat jemi mbledhur, por kjo tregon qartë se si bashkëpunimi ynë në sektorin që përfaqësojmë, dëmtohet në heshtje nga mungesa e bashkëpunimit diku tjetër. Ndërsa, për sa i përket Procesit të Berlinit dhe sfidave në të ardhmen, palët e interesuara të kësaj nisme duhet të kërkojnë sqarime konkrete se pse nuk po zbatohen angazhimet e dakorduara. Besoj se të gjithë jemi dakord që përpjekjet tona për bashkëpunim në bujqësi nuk duhet të pengohen apo ndikohen nga faktorë të tjerë”, tha Ministri Peci. Krahas kësaj, në funksion të temave që potencoi në adresimin e tij, Ministri zhvilloi diskutime dhe takime bilaterale me përfaqësuesit e Gjermanisë, Kroacisë, Shqipërisë dhe Francës si anëtarit më të ri vëzhgues të SËG-së. Me përfaqësuesit francez edhe një herë konfirmoi angazhimet e tij për bashkëpunim konkret në fushën e blegtorisë dhe verarisë, thuhet në njoftim./21Media