Maqedonci: Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet në tërësi nga të dyja palët

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci që ndodhet për një vizitë në Shtetet e Bashkuara, pati një takim të mërkurën me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Jim O’Brien, ku u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ministri Maqedonci shprehu në një intervistë për Zërin e Amerikës, vlerësimin për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Lidhur me kërkesën e Shteteve të Bashkuara për formimin e shpejtë të Asociacionit, ai tha se Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet si nga Kosova dhe Serbia në tërësi dhe se çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën.

”Marrëveshja e Ohrit, e arritur mes Kryeministrit Kurti dhe autoriteteve të Serbisë, vlerësojmë dhe kjo është thënë edhe nga Kryeministri, që duhet të zbatohet nga të dyja palët, normalisht. Të gjitha marrëveshjet brenda marrëveshjes kryesore duhet të zbatohen pa përjashtim. Ne vazhdojmë të theksojmë faktin që çdo marrëveshje, që do të nënshkruhet, normalisht që bazë kryesore duhet të ketë kushtetutën e Kosovës. Pra, duhet të jetë e padiskutueshme çështja se do të jenë ato në përputhje me kushtetutën e vendit tonë. Pavarësisht se ky proces u dëmtua rëndë nga sulmi terrorist i 24 shtatorit ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë, qeveria e Kosovës vazhdon ta ketë në fokus dialogun si mjet i vetëm për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme mes dy vendeve”, tha Maqedonci.

Back to top button