Haradinaj numëron “dështimet” e qeverisë: Nevojitet unitet për ndaljen e rënies së shtetit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk mbahet mend që Kosova ta ketë pasur një vit më të humbur sesa 2023-ën, për çka ka fajësuar Qeverinë Kurti.
Ai përmes një shkrimi në “Facebook” ka shtuar se dështimet e vitit që lamë pas nuk mund të kalojnë pa ndëshkim, teksa ka shtuar se nevojitet unitet e mobilizim që “të ndalet rënia e shoqërisë dhe e shtetit”.
Haradinaj ka thënë po ashtu se viti 2023 ka qenë i përshkuar nga regresi në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, derisa ka përmendur edhe masat ndaj vendit tonë.
“Regres në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës; sanksione e ndëshkime nga aleatët strategjikë; asnjë njohje, asnjë investim i huaj; disfatizëm në raport me Serbinë e rrezikim i pavarësisë së Kosovës; rritje enorme e çmimeve në artikujt elementarë, në energji, në tatime, në artikuj bazë ushqimor; dështim në investime e në zhvillim ekonomik; në arsim e në shëndetësi; me pagat më të ulëta në rajon; me afera të pazbardhura korruptive me rezervat shtetërore e tregtimin e energjisë; me luftë të paskrupullt ndaj gjyqësorit, me largimin masiv të rinisë nga vendi, e shumë të tjera. Natyrisht edhe me pafytyrësinë e qeverisë që të gjitha këto dështime t’i paraqes si suksese”, ka shkruar ai.
Sipas tij, të gjitha këto nuk mund të kalojnë pa ndëshkim.
“Prandaj sot, më shumë se kurrë kërkohet unitet e mobilizim që të ndalet rënia e shoqërisë dhe e shtetit”, ka përfunduar ai.