Xhaferi pranoi mandatin nga Pendarovski për formimin e Qeverisë teknike

Presidenti Stevo Pendarovski sot ia dorëzoi mandatin për formimin e qeverisë kryetarit të deritanishëm të Kuvendit, Talat Xhaferit. Xhaferi pritet të kryesojë qeverinë teknike për realizimin e zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.

“Me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë e pranoj mandatin nga presidenti i shtetit, me një premtim se me ndërgjegje dhe në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës, përbërja e Qeverisë dhe negociatat për përbërjen e Qeverisë do të zhvillohen në përputhje me me nevojën politike dhe situatën në vend”, tha Xhaferi.

Xhaferi nesër në Kuvend duhet të dorëzojë programin dhe përbërjen e qeverisë teknike, ndërsa të dielën duhet të bëhet zgjedhja e qeverisë.

Në përbërje të qeverisë teknike duhet të hyjë edhe VMRO-DPMNE opozitare me dy ministra. Për pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme është propozuar Pançe Toshkovski, ndërsa për ministër të Punës dhe Politikës Sociale është propozuar Gjoko Velkovski.

Kuvendi më herët konfirmoi dorëheqjet e kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, ndërsa kryetar i Kuvendit u zgjodh deputeti Jovan Mitreski nga LSDM-ja.

Back to top button