Sveçla e Krasniqi: Për Serbinë e Rusinë s’ka vend në Kosovë

(Lajm i përditësuar)


Sveçla e Krasniqi: Për Serbinë e Rusinë s’ka vend në Kosovë

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi sot vizituan shtëpinë në ndërtim e sipër të një shqiptari në Mitrovicë të Veriut, që u ngjyros me “parulla ekstremiste”.

Sveçla e Krasniqi kanë deklaruar se kërcënimet e Serbisë nuk i trembin dhe do të vazhdojnë ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në katër komunat veriore.

“Shtëpitë që po rindërtohen me pronarë shqiptarë janë mbuluar me parulla ekstremiste që nuk kanë vend në Kosovë. Çfarëdo gjuhe e urrejtës ndëretnike, çfarëdo gjuhë që nxit dhunë është e dënueshme. Akterët do të zbulohen dhe të vihen para drejtësisë. Siç e kemi thënë më herët, për Serbinë e Rusinë s’ka vend në Kosovë”, ka thënë Sveçla.

E ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal u shpreh se Qeveria e Kosovës do t’ua garantojë qytetarëve të drejtën elementare për kthim në shtëpitë e tyre, ndërsa ka shtuar se “parullat ekstremiste” tregojnë se Serbia nuk është e interesuar për normalitet.

“E drejta për t’u kthyer në shtëpitë e tyre është e drejtë për secilin qytetar, është e drejtë elementare. Qeveria do ta garantojë këtë drejtë. Kemi filluar ndërtimin e 40 shtëpive në katër komunat veriore vitin e kaluar. Këto grafitë tregojnë që Serbia nuk është e interesuar për normalitet dhe nuk është e interesuar të ketë orientimin evropian. Kjo tregon se ku është e orientuar Serbia. Këto nuk na trembin dhe nuk do të ndalim me ndërtimin e shtëpive për të gjithë qytetarët”, ka thënë Krasniqi.


Policia largon pllakën me flamurin e Serbisë te “Kroi i Vitakut” në Mitrovicë

Sot nga qytetit i Mitrovicës, është larguar një pllakë e madhe metalike, e cila mbante flamurin e Serbisë.

Për portalin rtv21.tv këtë e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë në Mitrovicën e veriut, Veton Elshani.

‘’Sot Policia e Kosovës ka bërë sigurimin në Lagjen Kroi i Vitakut derisa në vizitë ishte Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Gjatë kësaj kohe është largu edhe billbordi që ishte në kodër aty në afërsi’’, tha Elshani.

Ky billbord ka qëndruar në këtë kodër tash e sa vite, përderisa është i dyti që hiqet nga organet e rendit./21Media

Back to top button