Shkatërrohet një laborator i drogës në Leposaviq, një i arrestuar

Një laborator i drogës është shkatërruar nga policia në fshatin Graniçan të Leposaviqit.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë në veri, Veton Elshani për portalin rtv21.tv ka konfirmuar se lidhur me rastin një person është arrestuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Mitrovicën e Veriut, në aksionin e zhvilluar të shtunën.
I dyshuari nuk ishte gjetur fillimisht në atë lokacion, por i njëjti ishte prangosur në Jarinje, duke tentuar të arratiset.
“Ne lidhje me rastin i dyshimti R.V. (1981) rreth orës 19:30 është ndaluar dhe arrestuar në pikën kufitare në Jarinjë se personi i dyshuar është ndaluar dhe me aktvendim të Prokurorit të Shtetit të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit policor prej 48 orësh”, tha Elshani.
Policia në shtëpinë e të dyshuarit ka gjetur dhe sekuestruar 23 bimë të mbjella të dyshuar të kanabisit me gjatësi nga 40 cm deri ne 1.85 cm , si dhe pajisje tjera të cilat nevojiten për improvizimin e laboratorit (poqa , ventilim etj)”.
“Njësia e forenzikës ka bërë fotografimin dhe sekuestrimin e dëshmive. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori nga departamenti i krimeve të rënda, dhe me udhëzim të tij nga bimët merren disa mostra që do të dërgohen në laborator kurse pjesa tjetër me urdhër te prokurorit shkatërrohen”, tha Elsani për rtv21.tv./21Media