Sekuestrohen mallra kontrabandë në Jarinje

Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë parandaluar sot një tentim kontrabande të mallrave në vlerë rreth pesë mijë euro në pikë-kalimin kufitar Jarinje.
Në njoftim thuhet se mallrat janë gjetur gjatë një kontrolli rutinor të një autobusi të linjës Serbi-Kosovë, i cili kishte si destinacion Kosovën.
Mallrat e zbuluara, të cilat ishin të padeklaruara, përfshinin produkte ushqimore, mbathje sportive, si dhe produkte tjera tekstili në vlerë 4 mijë e 793 euro.
Autobusi është dërguar në terminalin doganor të Mitrovicës nën mbikëqyrjen e stafit doganor dhe policor për kontroll të hollësishëm.
Mallrat e padeklaruara janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, ndërsa rasti po trajtohet nga njësitë relevante të Doganës së Kosovës.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?