Osmani: Vuçiq do të dështojë sërish

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqit do të dështojë sërish.
Osmani këtë e ka thënë pas deklaratave kërcënuese të presidentit serb për pushtimin e Kosovës.
“Deklarata që u publikua mbrëmë është vazhdimësi. Njësoj si edhe në të kaluarën, ai duhet ta dijë se do të dalë i dështuar, sepse të gjitha përpjekjet e Serbisë nga viti 1998-99 e tutje, që ta pushtojnë Kosovën dhe ta kenë territorin e Kosovës, kanë dështuar”, ka thënë Osmani në një deklaratë të publikuar nga Presidenca.
Tutje, Osmani përmendi sakrificën e popullit të Kosovës dhe luftën çlirimtare, por edhe partnerët ndërkombëtarë që kanë mbrojtur, vlerat më të rëndësishme të lirisë dhe demokracisë.
“Edhe sot 25 vite pas kur në qershor do të festojmë këtë përvjetor jubilar të çlirimit të Kosovës jemi me fat e të bekuar si popull që në krah kemi aleatët tanë të cilët bashkë me ne siç edhe kanë deklaruar së fundmi do ta mbrojnë çdo pëllëmbë të Kosovës”, ka thënë Osmani.
Osmani u shpreh se me këto deklarata, Vuçiqi po vazhdon me mendësinë e Millosheviqit “i cili kërkonte territore dhe asnjëherë nuk i intereson për të drejtat dhe liritë e njerëzve”.
Kujtojmë se Vuçiqi ka thënë se Serbia do ta presë “momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojë rastin”, duke aluduar në pushtim të Kosovës./21Media