Vrasjet barbare serbe, Haradinaj kujton të rënët e masakrës në Izbicë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar shqiptarët e vrarë nga forcat në masakrën në Izbicë 25 vjet më parë.
Ai ka thënë se secila datë në kalendarin e shqiptarëve, është dëshmitare e dhembjes dhe vuajtjes.
“Egërsia e shtetit fashist serb, do të shfaqej po atë ditë në Izbicë, ku barbarisht do të vriteshin 147 shqiptarë të paarmatosur, mes tyre gra, fëmijë e pleq, përfshirë Dafinën gjashtë muajsh”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj me këtë rast ka kujtuar edhe betejën e Pozharit dhe të rënët e kësaj beteje Elez Geci dhe Maxhun Berisha.
“Ne fundin e marsit 1999, kur Kosova po digjej në të katër anët, bashkëluftëtarët e mi të Zonës Operative të Dukagjinit, thyen keq armikun në Betejën e Pozharit. Kjo betejë u shënua me emrat e heronjve të saj, Elez Geci e Maxhun Berisha. Këtë ditë e kujtoj edhe për faktin se është dita kur themeluam Brigadën 137 Gjakova, brigada e parë urbane në Kosovë, përbërë nga bijtë e bijat më të mira të atdheut. Secila ditë në kalendarin e shqiptarëve, është dëshmitare e dhembjes e vuajtjes, por edhe e lavdisë, krenarisë e heroizmit”, shkroi Haradinaj në Facebook.