Diplomacia e BE-së kërkon themelimin e asociacionit përpara KIE-së

Ende mbetet e paqartë nëse Kosova do të arrijë të futet në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës e cila do të mbahet më 17 maj. Kjo për shkak të një kërkese të disa vendeve të BE-së që kanë kërkuar që fillimisht Qeveria të themelojë Asociacionin. Përfaqësuesit e partisë në pushtet thonë se ka një insistim nga diplomacia e BE-së që Kosova fillimisht duhet ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në kushtetuese. Opozita e quan Qeverinë të dështuar dhe pa vizion. Njohësit e Kushtetutës thonë se Qeveria duhet ta dërgojë në kushtetuese draft-statutin e Asociacionit.

Ndonëse se Qeveria ende nuk e ka ndërmarrë ndonjë veprim për kërkesën e faktorit ndërkombëtar që ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në kushtetuese përpara votimit final për anëtarësim në Këshillin e Evropës, përfaqësuesit e Qeverisë kanë shpeshtuar vizitat jashtë vendit. Kjo në përpjekje për t’i bindur shtetet se Asociacioni nuk është kusht për anëtarësim në Këshill. Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në margjinat e takimit të ministrave të BE-së, ka zhvilluar një sërë takimesh në mesin e tyre me përfaqësuesin e Finlandës dhe Estonisë.

Sipas njoftimit të ministrisë së Jashtme, Kosova ka marrë mbështetje për anëtarësim në Këshill e Evropës.

“Ministrja Gërvalla e falënderoi homologun e saj estonez për mbështetjen e madhe që Estonia i ka dhënë Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe tani në hapin e fundit për anëtarësim në Këshillin e Ministrave”.

Për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE, kryeministri Kurti u takua në Berlin me ministren e jashtme të këtij shteti, Annalena Baerbock. Por qëndrimi i kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, nuk ka ndryshuar, i cili vazhdon të insistojë se Qeveria e Kosovës duhet ta themelojë Asociacionin.

Një kërkesë të ngjashme ka Franca dhe vendet e QUINT-it. Anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, Driton Hyseni, vlerëson se ka një tendencë nga diplomacia e BE-së që të vendosin parakushte duke e dëmtuar rrugën integruese të Kosovës.

“Ajo që kemi parë është një insistim i diplomacisë së BE-së sa i takon dërgimit të statutit të Asociacionin në Gjykatën Kushtuese. Por, parametrat që janë paraparë nga Këshilli i Evropës, që janë dokumentuar qartazi edhe në raportin e raportueses Dora Bakojanis, janë përmbushur dhe nuk mendojë se është drejtë se ne si vend të kemi kritere shtesë”, tha Driton Hyseni i VV-së për rtv21.

Partitë opozitare kritikojnë Qeverinë për mungesë të përvojës në diplomaci, cila sipas tyre po i sjellë vetëm dështime Kosovës në rrugën integruese.

Në pyetjen për zvarritjen e dërgimit të draftit për Asociacionin në Gjykatën kushtetuese, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, tha: Mos prisni nga kjo Qeveri që të lëvizë diçka dhe që e plotëson ndonjë kërkesë, sepse kjo Qeveri është e dështimit.

Kritikave të opozitës iu përgjigj deputeti i VV-së, Driton Hyseni.

“Opozita duhet të jetë më konstruktive. Opozita nuk duhet të operojë në frekuencat që vijnë nga pala serbe”, tha ai.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, tha se Qeveria duhet ta ketë të qartë se themelimi i Asociacionit është obligim ndërkombëtar për Kosovën.

“Duhen veprime pragmatike në mënyrë që të hapet rruga për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, tha Bajrami.

Pas marrjes së dritës së gjelbër në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, më 16 prill, vendimin përfundimtar për Kosovën pritet në Komitetin e Ministrave të kësaj organizate, më 16 dhe 17 maj. Deri në mbledhjen e Komitetit, Kosova duhet të vazhdojë t’i bindë së paku dy të tretat e 46 anëtarëve të saj./RTV21/21Media

Back to top button