Konjufca merr pjesë në hapjen e ekspozitës së piktorit Gjelosh Gjokaj

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës së piktorit shqiptar nga Mali i Zi, Gjelosh Gjokaj, në ambientet e Galerisë Kombëtare në Prishtinë.

Në fjalën e tij para të pranishëve të shumtë, kryetari Konjufca e vlerësoi lart veprën e artistit Gjokaj, duke e cilësuar njërin ndër artistët më të mëdhenj të kombit shqiptar.

“Kemi të bëjmë me një artist, i cili mund të quhet me plot kuptimin e fjalës, botëror. Nga veprat e tij mund të mësojmë shumë, sepse ajo e ka krijuar hapësirën autentike në universin e artit botëror”, tha kryetari Konjufca.

Kombi shqiptar, sipas kryetarit Konjufca, mund të mburret se i ka dhënë botës piktor si Gjelosh Gjokaj.

Kreu i Kuvendit falënderoi Ambasadën e Malit të Zi në Kosovë dhe Galerinë Kombëtare të Kosovës për mundësinë e hapjes së kësaj ekspozite me veprat e Gjelosh Gjokajt.

Në hapje të ekspozitës i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, ambasadori i këtij shteti në Prishtinë, Bernard Çobaj, ministri i Kulturës i Kosovës, Hajrulla Çeku, ambasadorë, përfaqësues të partive politike, dashamirë të artit dhe mysafirë të tjerë.

Back to top button