Kuvendi zgjodhi anëtarët e bordit të KPMM-së

(Lajm i përditësuar)
Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur tre anëtarë të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM). Kryesues i Bordit do të jetë Habib Basholli, i cili mori 71 vota të deputetëve, ndërkaq anëtarë, Nasuf Mjekiqi dhe Bahri Karaça.
Krahas kësaj, Kuvendi në seancën e sotme miratoi edhe rekomandimet për raportin e auditimit të performancës “Renovimi dhe konfigurimi i stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”, si dhe raportin vjetor të Ndërmarrjes Publike, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2022.
Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk hodhi në votim projekt-rezolutën për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Kuvendi dështon sërish të miratojë Projektligjin për fertilizim të asistuar mjekësor
Kuvendi i Kosovës sërish ka dështuar të miratojë Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor. Për të njëjtin nuk pati kuorum, pasi disa deputetë sërish nuk morën pjesë në votim. Kjo pikë u shty për një seancë tjetër.
Në anën tjetër, Kuvendi miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve të veçanta për krijimin e bazës ligjore për nxjerrjen e akteve nënligjore nga qeveria dhe ministrat, po ashtu edhe Projektligjin për harmonizimin e ligjeve të veçanta.
Kuvendi gjatë seancës së sot me miratoi disa marrëveshje ndërkombëtare, të cilat ishin bllokuar që disa muaj.
Kuvendi miraton edhe dy marrëveshje tjera ndërkombëtare
Me 85 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikim e marrëveshjes kornizë ushtarake mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Turqisë. Në këtë seancë po ashtu është miratuar edhe Marrëveshja mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj. Kjo pasi deputetet kanë nënshkruar e dorëzuar një kërkesë për seancë të jashtëzakonshme, që këto dy marrëveshje të trajtohen me urgjencë.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se kjo është bërë me dakordimin e përbashkët me grupet parlamentare.
“Për arsyeje se ne kishim bashkërisht me grupet parlamentare një konsultim në raport me kërkesën 44 deputetëve të mazhorancës për një seancë të jashtëzakonshme në të cilën proceduam kërkesën për pesë marrëveshje ndërkombëtare të reja që kanë kaluar procedurat në shqyrtim në komisionet funksionale, megjithatë në fund dakrodanca e përbashkët me grupet ishte që vetëm dy prej tyre të jenë në votim sot në Kuvendin e Kosovës. Duke marrë parasysh rëndësinë dhe peshën e dy marrëveshjeve dhe domosdoshmërinë e votimit, e para marrëveshje ka të bëjë një marrëveshje kornizë ushtarake ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, dhe e dyta ka të bëjë me një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e trajtimeve të ujërave të zeza në Ferizaj. Kemi propozuar shmangien nga afatet procedurale të përcaktuara me nenin 52 të Rregullores së Kuvendit për të shqyrtuar dy marrëveshjet e lartpërmendura”, tha Kusari-Lila.
Ndërsa, sa i përket projektligjit të parë të marrëveshjes kornizë ushtarake mes Kosovës dhe Turqisë, ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka treguar çka parasheh kjo marrëveshje.
Ndërkaq, sa i përket marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia derisa ka bërë prezantimin e projektligjit ka thënë se kjo marrëveshje është për të avancuar zhvillimin e vendit për mjedis të pastër.
“Kjo marrëveshje është negociuar dhe finalizuar në kuadër të përpjekjeve të Kosovës për të avancuar zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe në linjë me programin e qeverisë dhe vizionin për infrastrukturë të integruar në harmoni me mjedisin e pastër”, tha Vitia.
Në seancën e sotme deputetët kanë miratuar dhjetë marrëveshje të tjera ndërkombëtare, dy kanë dështuar në miratim dhe një është shtyrë për seancë tjetër.
Në seancën e sotme ka dështuar të miratohet Marrëveshja e Kredisë për programimin e financave dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar. Po ashtu në këtë seancë dështoi të miratohet marrëveshja për burgjet me Danimarkën, ku votuan vetëm 75 deputetë, kundër 13, ndërkaq nuk pati abstenim
Sot është miratuar Projektligji për Aderimin e Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm; Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm; Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”.
Votohen shumica e marrëveshjeve ndërkombëtare, dështon ajo e OPEC-ut dhe për burgjet me Danimarkën
Kuvendi i Kosovës pas gati një viti bllokadë ka arritur sot (e enjte) t’i miratojë disa marrëveshje financiare ndërkombëtare. Me 77 vota për, 10 kundër, 1 abstenim, edhe kësaj radhe ka dështuar të miratohet Marrëveshja e Kredisë për programimin e financave dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar. Po ashtu në këtë seancë dështoi të miratohet marrëveshja për burgjet me Danimarkën, ku votuan vetëm 75 deputetë, kundër 13, ndërkaq nuk pati abstenim.
Megjithatë, Kuvendi i Kosovës nga totali i marrëveshjeve që janë në rend të ditës sot, deputetët me mëbshtetjen e GP të PDK-së kanë miratuar dhjetë prej këtyre marrëveshjeve, dy dështuan në miratim dhe një është shtyrë për seancë tjetër.
Sot është miratuar Projektligji për Aderimin e Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm; Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm; Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”.
Po ashtu është miratuar Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës; Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”.
Ndërkaq, Kuvendi kaloi edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik; Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian; Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat, dhe Ligjin për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”.
Ndërsa, sa i përket projektligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”, LDK ka bërë kërkesë që të shtyhet për një seancë tjetër, pasi ka kërkuar sqarime shtesë nga ministri.
Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se nevojiten sqarime shtesë nga ministri.
“Në bazë të asaj që kemi parë në projektmarrëveshje, është propozuar që Kosova e bashke financon por financat i dërgon një kompanie në Maqedoni për ndërtim për ne kjo pjesë është e paqartë, nëse është kështu është e dëmshme, dhe për mos me e rrëzua sot, është më mirë ta lëmë për një moment tjetër, kur ministri është këtu t’i jep disa sqarime shtesë”, tha Gashi.
Në rend dite ishte edhe votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH, mirëpo kjo pikë është shtyrë për votim në një seancë tjetër, pasi deputetja nga pushteti, Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar kohë që të plotësohet kjo rezolutë.
“Sa i përket projekt rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH, LVV, Grupi ynë parlamentar është pajtuar në diskutim për adresimin e çështjeve, mirëpo mendojmë se rezoluta ende nuk është e plotë, prandaj kërkojmë të kemi pak më tepër kohë për plotësimin e rezolutës. Nëse kemi mirëkuptim e shtyjmë për votim për një seancë tjetër”, tha Kusari-Lila.
Seanca e Kuvendit fillon me një minutë heshtje për Ukshin Hotin
Me një minutë heshtje ka filluar Seanca e Kuvendit të Kosovës për të kujtuar 25 vjetorin e zhdukjes me dhunë të intelektualit dhe patriotit të shquar, Ukshin Hoti.
Pas kësaj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i ka bërë thirrje drejtësisë ndërkombëtare, por edhe asaj vendore që të merret me rastin e Ukshin Hotit, por edhe shumë intelektualeve e patrioteve të zhdukur me dhunë nga Serbia.
“Sot është 25 vjetori i zhdukjes me dhunë të intelektualit tonë të madh dhe patriotit tonë të shquar, Ukshin Hoti. Përgjegjëse padyshim për zhdukjen e tij me dhunë është shteti i Serbisë me mekanizmat e tij. Sapo kinse u lirua nga Burgu i Dubraves po e priste një veturë aty, e organizuar nga shteti serb dhe çkado që do t’i ketë ndodhur intelektualit Hoti, përgjegjësinë pa dyshim se e mban shteti okupator serb…Me këtë rast i bëjmë edhe thirrje drejtësisë ndërkombëtare, por edhe drejtësisë vendore që të merret me rastin e Ukshin Hotit, me vrasjen e Fehmi Aganit, të Bardhyl Qaushit e të shumë intelektualeve e patrioteve gjatë luftës, dhe me të gjithë të zhdukurit me dhunë nga Serbia, dhe me gjitha krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë ”, tha Konjufca.
Ndërkaq, në rend dite sipas njoftimit të Kuvendit janë votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe i disa projektligjeve.
Sot pritet të votohen marrëveshjet ndërkombëtare
Pas një bllokade gati njëvjeçare, Kuvendi i Kosovës sot pritet t’i miratojë disa marrëveshje ndërkombëtare.
Deputetët e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pritet t’i përkrahin ato.
Këtë e ka bërë të ditur kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën gjatë ditës, një ditë pasi që kryetari i PDK-së Memli Krasniqi u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Hamza ka mohuar se gatishmëria për votimin e marrëveshjeve që e kapin vlerën e mbi 300 milionë eurove është derivat i takimit Kurti-Krasniqi.
Deputetë të PDK-së kanë kundërshtuar votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që nga korriku i vitit të shkuar, me justifikimin se përfitimet prej tyre nuk janë të mundura shkaku i masave të BE-së dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Pos marrëveshjeve ndërkombëtare, PDK-ja nuk ka marrë pjesë as në votimin e projektligjeve të tjera.
Seanca e së enjtes do të fillojë në orën 10:00.