​Kurti: Serbia të dorëzojë në Kosovë Radojiçiqin dhe grupin e tij paramilitar

(Lajm i përditësuar)


​Kurti: Serbia të dorëzojë në Kosovë Radojiçiqin dhe grupin e tij paramilitar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së, ka deklaruar se në CEFTA duhet të sigurohet përfaqësim i barabartë dhe trajtim i barabartë për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kurti tha se derisa janë mbledhur për të diskutuar rrugën drejt anëtarësimit në BE, progresi i Kosovës duhet pranuar.

“Nëse ka një mesazh që dua t’i përcjell BE-së nga Kotorri, ai është ky; kontrolloni progresin në lidhje me progresin demokratik dhe reformat e BE-së në rajon dhe më pas bazoni politikat mbi ato të dhëna. Tani, më lejoni të trajtoj progresin e bërë me agjendën e reformës së planit të rritjes. Për Kosovën, plani i rritjes së BE-së paraqet një mundësi për të çuar më tej integrimin tonë në tregun e vetëm dhe mekanizmat e BE-së, duke përshpejtuar reformat në lidhje me demokratizimin, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore. Përmbushja e agjendës së reformave, e përbërë nga pesë fusha të politikave me 32 reforma në 17 sektorë, është pothuajse e përfunduar”, tha ai.

Kurti ka mirëpritur gjithashtu punën për planin e ri të veprimit të tregut të përbashkët rajonal për 2025-2028 dhe ambicien për ta miratuar atë në Samitin e këtij viti të procesit të Berlinit. Sipas, kryeministrit Albin Kurti, ky duhet të jetë një plan ambicioz, i cili integron rajonin tonë dhe e lidh atë me tregun e brendshëm të BE-së.

“Marrëdhëniet e mira fqinjësore në rajonin tonë, me njohje të ndërsjella de fakto dhe de jure janë të nevojshme për paqen, sigurinë dhe integrimin, prandaj kërkoj nga Serbia që të dorëzojë në Kosovë, Milan Radojiçiqin dhe grupin e tij paramilitar që vrau rreshterin tonë Afrim Bunjaku më 24 shtator të vitit të kaluar. Së fundi, për të rritur integritetin financiar dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftimin e krimit financiar, rajoni ynë do të përfitonte nga të qenit pjesë e autoritetit të ri për pastrimin e antimonit të Bashkimit Evropian, në lidhje me CEFTA-n duhet të sigurojmë përfaqësim të barabartë dhe trajtim të barabartë për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.


Kurti porosit BE-në: Veproni sipas progresit demokratik dhe reformave të vendeve të rajonit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka porositur Bashkimit Evropian (BE) që të kontrollojë progresin demokratik dhe reformat e BE-së të vendeve të rajonit dhe më pas të veprojë sipas atyre të dhënave.

Kurti po merr pjesë në Samitin liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, ku po diskutohet edhe plani i rritjes për këtë rajon.

Sipas kryeministrit Kurti, plani zhvillimor i BE-së paraqet mundësi për ta çuar përpara integrimin e Kosovës në tregun unik evropian.

“Nëse ka një porosi që dëshiroj t’i bëhet BE-së është të kontrollojë progresin demokratik dhe reformat e BE-së në rajon dhe të veprojë sipas atyre të dhënave. Për Kosovën, plani zhvillimor i BE-së paraqet mundësi për ta çuar përpara integrimin tonë në tregun unik evropian duke përshpejtuar reformat që kanë të bëjnë me demokratizimin e sundimit të ligjit dhe të drejtat e njeriut”, ka thënë ai.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se në zhvillimet gjeopolitike në botë qytetarët e Kosovës kanë treguar se besojnë në parimet e mbështetura nga BE-ja. Ka bërë thirrje që të njihet progresi i Kosovës.
Kurti ka theksuar se rajoni ka nevojë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, e cila siç thotë ai, garanton paqe dhe stabilitet.

Ka kërkuar nga Serbia që t’ia dorëzojë Kosovës organizatorin e sulmit të Banjskës, Milan Radoiçiq dhe ekipin e tij.

Nga sulmi i 24 shtatorit të vitit të kaluar, u vra polici Afrim Bunjaku. Radoiçiqi vazhdon të jetë i lirë në Serbi, edhe pse ka marrë përgjegjësinë e sulmit.


Samiti në Kotorr, Kurti shpreh pakënaqësinë me Bosnjën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para fillimit të Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, ka deklaruar se këtë vit po shënojnë 10 vjetorin e Procesit të Berlinit dhe pret që të kenë një bashkëpunim më të mirë që nënkupton njohjen reciproke defakto dhe dejure të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Para samitit i cili po mbahet në Kotorr të Malit të Zi, Kurti tha se përmendi planin patkoi të Serbisë, i cili kishte për qëllim spastrimin etnik të shqiptarëve, të cilët gjenden strehim në Mal të Zi, ndërsa tash ky shtet po mbledh liderët e rajonit.

“Takimi i tretë i Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian është një mundësi e shkëlqyer për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor 6 që të bashkohen dhe të diskutojnë se si mund të integrohen më tej duke bërë reforma në vend por në të njëjtën kohë, për të parë se si mund të bëjmë më shumë dhe më mirë me Bashkimin Evropian në kuptimin e përfitimit të programeve mbështetëse nga Plani i Rritjes së BE-së, i cili në të njëjtën kohë do të na ofrojë akses në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian. Ne do të shënojmë 10 vjet të Procesit të Berlinit këtë vit dhe presim që të kemi një bashkëpunim më të mirë, që nënkupton njohjen reciproke defakto dhe dejure të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me këtë rast më lejoni të shpreh se jemi të pakënaqur me faktin se Bosnja dhe Hercegovina ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen për lirinë e lëvizjes vetëm me letërnjoftime, për të cilën kemi rënë dakord 18 vjet më parë”, tha ai.

Liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor

Samiti po mbahet nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”. Në takimin e liderëve rajonalë po marrin pjesë edhe komisionari Varhelyi, dhe ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, O’Brien.

Plani i Rritjes përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me BE-në – dy miliardë grante dhe katër miliardë kredi të buta të garantuara nga BE.


Samiti i Ballkanit Perëndimor, Kurti flet për planin e ri të rritjes

Në Kotorr të Malit të Zi, sot mbahet Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor

Samiti mbahet nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”. Në takimin e liderëve rajonalë marrin pjesë edhe komisionari Varhelyi, dhe ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, O’Brien.

Plani i Rritjes përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me BE-në – dy miliardë grante dhe katër miliardë kredi të buta të garantuara nga BE.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të jetë folës në panelin e diskutimit “Situata aktuale dhe planet e së ardhmes – Plani i ri i rritjes”. Kryeministri Albin Kurti mbrëmë mori pjesë në darkën e liderëve të shtruar nga homologu i tij nga Mali i Zi, Milojko Spajiq.

Ai me këtë rast ka postuar foto nga takimet me homologun e tij nga Mali i Zi, Milojko Spajiq, komisionarin evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, dhe ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

“Jam në Kotorr Mali i Zi për takimin e tretë këtë vit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes së BE-së së bashku me BE dhe SHBA. Ne do të diskutojmë përparimin tonë në agjendën e reformës së Planit të Rritjes së BE-së dhe çështjet rajonale, duke përfshirë gjendjen e zbatimit të marrëveshjeve që kemi arritur në Procesin e Berlinit”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.

Back to top button