“KFOR-i demantoi vetvetën”

Pamjet të cilat u panë 24 orë pas sulmit të 24 shtatorit ngjallën dyshime se grupi terrorist i udhëhequr nga Millan Radoiçiq u la me vullnet të lirë ta lëshojw territorin e Kosovës. Dyshimet i vërtetoi një grup punues i krizave në kuadër të NATO-s, sipas të cilëve KFOR-i nga frika për një gjakderdhje më të madhe, negocioi me terroristët për tërheqjen e grupit në pyjet për rreth.
Por, KFOR-i mohoi të ketë negociuar me këtë grup.
Njohësi i sigurisë Drizan Shala, thotë se një negocim i tillë ka ndodhur.
“KFOR-i u pajtua për të mos u pajtuar dhe e demantoi vetëveten dhe gjithë situatën e luftës në Banjskë, po i them luftë pasi që pati një tentativë për të ndryshuar rendin juridik dhe kushtetues andaj asambleja e përgjithshme e morri si të mirqenë se pati një negocim në nivelin e KFOR-it mes grupit të radojçiqit pra KFOR-i demantoi vetën me një paragraf të zakonshëm që janë në koordinim të plotë me institucionet por që nuk hyri në demantim substancial”, tha Shala për RTV21.
Raporti i cili u mohua nga KFOR-i flet edhe për gjetjen e një sasie të madhe armatimi pranë Manastirit të Banjskës dhe për sulmues të trajnuar për të cilat siç thuhet nw kwtw raport institucionet e Kosovës besojnë se ishin deri në 200 persona, shumica prej tyre të fshehur në pyje në zonën kufitare me Serbinë.
Profesori i lëndëve të sigurisë Fatmir Qollakaj nuk dëshiron të komentojë deklaratat në asamblenë parlamentare të NATO-s për ikjen e Grupit të Radojiqiqit si dhe mohimin e KFOR-it për negocimin me të.
“Tashmë kaluan shumë muaj nga ngjarja e 24 shtatorit dhe u përcoll mesazhi i qartë edhe për Serbinë por edhe për Bashkësinë ndërkombëtare, pra Kosova fitoi në dy aspekte edhe pse pati një viktimë Serbia mori mesazhin e qartë se në Kosovë nuk e ka të lehtë të hyjë ndërsa bashkësia ndërkombëtare e kuptoj se Serbia me të vërtetë është faktori destabilizues në Ballkan”, tha Qollakaj.
Aktualisht udhëheqësi i grupit terrorist i cili kreu sulmin mbi policinë e Kosovës, Millan Radoiçiq besohet se është i lirë në Serbi. Prej drejtësisë kosovare nuk ka ende një vendim për të edhe pse ai kërkohet nga gjykatat e Kosovës për disa raste të tjera. Ndërsa SHBA-ja dhe Britania e madhe e kanë futur në listën e zezë për përfshirje në krim dhe korrupsion ndërkombëtar. Organizata policore INTERPOL tashmë ka lëshuar një urdhër arresti për të dhe 11 persona të tjerë për sulmin terrorist të 24 shtatorit nw Banjskë./RTV21/21Media