Sot zgjedhjet lokale, në Preshevë dhe Bujanoc qytetarët zgjedhin kryetarët e rinj

Nga ora 07:00 në Preshevë dhe Bujanoc, janë hapur vendvotimet për zgjedhjet e nivelit lokal. Kjo është konfirmuar për Radio Televizionin e Kosovës nga Komisionet Komunale Zgjedhore në Preshevë dhe Bujanoc, ku nuk evidentohet ndonjë incident i çfarëdo lloj natyre.
Në zgjedhjet e së dielës për kryetar të komunës së Preshevës në garë janë kandidatja e Partisë për Veprim Demokratik Ardita Sinani, këshilltare e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Për kryetar të Preshevës kandidat i Alternativës për Ndryshim është Visar Memeti, kanidat i Partisë Demokratike Shqiptare Ragmi Mustafa, i cili po e udhëheq përkohësisht këtë komunë dhe kandidat i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu.
Ndërsa, në garën për kryetar të Bujanocit, kandidat i Partisë për Veprim Demokratik është Ragmi Mustafi, këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi.
Dy partitë e tjera shqiptare në komunën e Bujanovcit Partia Demokratike dhe Lëvizja e Progresit Demokratik kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion paszgjedhor. Kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherësh kryetari i tanishëm Nagip Arifi dhe kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Shqipërim Musliu kandidojnë për ta marrë drejtimin e komunës.
Edhe Arbër Pajaziti është kandidat për kryetar të Bujanocit nga Alternativa për Ndryshim. Ai së bashku me Driton Rexhepin nga Lëvizja për Bujanocin dhe Adem Hasanin e Unionit Demokratik Shqiptar, u dakorduan për të hyrë në këtë garë zgjedhore me listë të përbashkët.
Në Preshevë, një krizë politike shpërtheu sërish pasi Kuvendi u shpërnda meqenëse partitë në pushtet nuk arrinin të krijonin kuorum për mbajtjen e seancave. Për rrjedhojë, tash komuna udhëhiqet nga një organ i përkohshëm.
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, është kryetar i Autoritetit të Përkohshëm në Preshevë me vendim të Qeverisë së Serbisë. Ligji në Beograd parasheh që në raste të tilla përfaqësuesit e partive të përfaqësuara në Kuvendin e shpërndarë të zgjidhen në atë organ “duke pasur parasysh përbërjen politike dhe kombëtare”. Në atë trup drejtues bën pjesë edhe Branko Trajkoviq nga Partia Progresive Serbe.
Kuvendi Komunal i Preshevës i ka 38 këshilltarë komunalë, 36 nga të cilët ishin nga partitë shqiptare në pushtet dhe opozitë, si dhe dy serbë, njëri nga Partia Përparimtare Serbe e Aleksandar Vuçiqit dhe një tjetër nga Partia Socialiste Serbe e Ivica Daçiqit.
Kuvendi Komunal i Bujanocit i ka 41 këshilltarë komunalë. Përfaqësuesit e shqiptarëve kishin numrin më të madh të ulëseve – 28, ndërsa 13 këshilltarë ishin nga radhët e serbëve.
Të dhënat e regjistrimit të popullsisë në Serbi, më 2022, treguan se janë mbi 61 mijë banorë shqiptarë.