Nuk ka takim trepalësh

(Lajm i përditësuar)
Nuk ka takim trepalësh
Në Bruksel kanë përfunduar takimet dypalëshe të emisarëve evropianë me liderët e Kosovës dhe Serbisë, por ka dështuar takimi trepalësh.
Ekipi i RTV21 po qëndron në Bruksel nga ku po raporton për çdo zhvillim. Sipas disa burimeve brenda takimit, bëhet e ditur se ka dështuar takimi trepalësh.
Edhe një rund bisedimesh dypalëshe në Bruksel
Në Bruksel po mbahet rundi i dytë i takimeve dypalëshe mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë dhe emisarëve evropianë.
Pas përfundimit të rundit të parë të takimeve dypalëshe ishte paralajmëruar mbajtja e një takimi të përbashkët mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por një takim i tillë nuk ndodhi, raportoi REL-i.
Përfundojnë takimet dypalëshe në Bruksel
Në Bruksel kanë përfunduar takimet dypalëshe të emisarëve evropianë me liderët e Kosovës dhe Serbisë dhe tani pritet konfirmimi i nisjes së takimit të përbashkët mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Nis takimi mes Vuçiqit e zyrtarëve të BE-së
Ka filluar takimi mes presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak e Josep Borrell.
Para takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se pret që në takimin e sotëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të diskutohet për arritjet në dialog, por edhe për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Nis takimi Kurti- Borrell
Ka nisur takimi i Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me Përfaqësuesin e Lartë i BE-së, Josep Borrell.
Derisa pas këtij takimi është paraparë takimi i Borrell me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kurse pas takimeve të ndara është paralajmëruar edhe takimi trepalësh, raporton RTV21
Borrell kërkon përparim në zbatimin e marrëveshjes për normalizim
Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se pret që në takimin e sotëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të diskutohet për arritjet në dialog, por edhe për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Në një deklaratë për media, para nisjes së takimeve, Borrell tha se takimet paraprake të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të diskutohet për hapat drejt zbatimit të marrëveshjes.
“Fatkeqësisht, zbatimi i marrëveshjes [për normalizimin e raporteve] ende nuk ka nisur. Dhe shpresojmë që sot ne definitivisht të bisedojmë se si të sigurohemi që ne përfundimisht të lëvizim përpara me këtë marrëveshje. Lidhur me këtë, do të diskutojmë për hapat e radhës dhe është e qartë se ajo për të cilat palët janë pajtuar duhet të zbatohet. Marrëveshjet janë baza e veprimeve, por veprimet duhet të vijnë pas marrëveshjeve. Zbatimi është fjala kyçe”, tha Borrell, raporton Radio Evropa e Lirë.
Shefi i diplomacisë së BE-së kujtoi se takimet paraprake mes Kurtit dhe Vuçiqit kryesisht kanë qenë për “menaxhimin e krizave të njëpasnjëshme”, por tha se shpreson që ky takim të jetë ndryshe.
“Sot, në rundin e ri të dialogut shpresojmë se do të përçojë një mesazh tjetër dhe të përfundojë ndryshe. I dërguari ynë i posaçëm ka punuar dhe duam që me dy liderët të diskutojmë se çfarë është arritur në dialog gjatë mandatit tonë që nga viti 2019. Po ashtu, për ne do të jetë e rëndësishme që të dimë se si të dyja palët e shohin të ardhmen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, se si palët duan ta vazhdojnë këtë proces”, tha Borrell.
Ai tha se pas disa muajsh, postin e tij dhe të Lajçakut do ta marrin persona të tjerë, por theksoi se “marrëveshjet, konkluzionet e Këshillit dhe pritjet e BE-së nuk do të ndryshojnë”.
“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është në zemër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi po ashtu është i lidhur ngushtë me rrugën e pranimit [në BE]”, tha Borrell.
Pasdite, në Bruksel do të mbahet rundi i ri i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.
Takimi i parë i tyre këtë vit zhvillohet në kohën kur zyrtarët evropianë, të angazhuar në ndërmjetësimin e procesit, janë drejt përfundimit të mandatit pesëvjeçar.
Josep Borrell do të shërbejë si shef i diplomacisë evropiane deri në vjeshtë, ndërsa javën e ardhshme do të dihet se kush do ta pasojë atë.
Mirosllav Lajçak është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por do të veprojë si ndërmjetës në dialog derisa të gjendet zëvendësuesi i tij.
“Shpresojmë që të dy liderët të vijnë me vizionin dhe guximin e nevojshëm politik për ta çuar Kosovën dhe Serbinë më afër të ardhmes së tyre evropiane”, tha Lajçak një ditë përpara takimit.
Me shumë mundësi, takimi i sotëm do të jetë i fundit në kuadër të dialogut, nikoqir i të cilit do të jetë Borrell.
Kurti mbërrin ndërtesën ku do të mbahet takimi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbërritur në ndërtesën ku do të mbahet takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, raporton RTV21.
Takimet në Bruksel nisin në ora 15:00, Borrell njëherë do t’i takojë ndaras Kurtin e Vuçiqin
Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, bashkë me emisarin e dialogut, Miroslav Lajçak, do të presin kryeministrin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Takimet do të fillojnë nga ora 15:00 dhe fillimisht Borrell e Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me liderët pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh.
View this post on Instagram
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, para takimi me kryeministrin Kurti pritet të takohet me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe me Komisionerin Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Oliver Varhelji, raporton RTV21 nga Brukseli
Lajçak: Shpresojmë që Kurti e Vuçiq të hyjnë në takim me guxim politik
I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, para takimit të kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shpreson të hyjnë në këtë takimin sotëm në Bruksel me vizion dhe guxim politik.
Lajçaku ka njoftuar për përgatitjet për takimin. Ai ka thënë se gjithë javën ia ka dedikuar përgatitjeve. Ka përmendur vizitat në Kosovë dhe Serbi ka diskutuar për qëllimet e takimit për t’i rishikuar arritjet dhe për t’i planifikuar hapat e ardhshëm, veçanërisht lidhur me implementimin e Marrëveshjeve në rrugën drejt normalizimit.
“Bisedat tona ishin të hapura, të sinqerta dhe të rëndësishme për procesin e normalizimit. Gjithashtu u ndala shkurtimisht në Greqi për të diskutuar perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE në një konferencë mbi paqen dhe rritjen e qëndrueshme në Athinë. Gjithçka është gati për nesër dhe shpresojmë që të dy liderët të vijnë me vizionin dhe guximin politik të nevojshëm për t’i afruar Kosovën dhe Serbinë me të ardhmen e tyre evropiane.”, ka thënë ai.
Sot mbahet takimi i parë i Kurtit dhe Vuçiqit pas rastit të Banjskës
Pas gati 10 muajsh sot do të mbahet takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.
Ky do të jetë një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas Qeverisë së Kosovës fokusi i këtij takimi “do të jetë zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, Aneksi për zbatimin e saj dhe rruga përpara”.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha më 24 qershor se shpreson të ketë përparim në dialog dhe kujtoi se ekziston një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila duhet të zbatohet në terren.
Ai tha se “ka problem” sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, por theksoi domosdoshmërinë e mbajtjes së një takimi të nivelit të lartë “për të ditur se ku jemi”.
Po ashtu ky do jetë takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, pas ngjarjeve në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – më 24 shtator të vitit të kaluar, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës dhe vrau një polic.