A po kushtëzohet heqja e masave me Asociacionin? Pushteti thotë se s’pranon një gjë të tillë, opozita pret paraqitjen e këtij kushti

Bashkimi Evropian nuk bëri të ditur nëse për heqjen e masave Kosova do të kushtëzohet me përmbushjen e marrëveshjes bazë konkretisht Asociacionin, por përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell një ditë më parë tha se heqja e masave do të krijojë një skenar në të cilin dialogu Kosovë-Serbi s’do të mbyllet në mënyrë të papritur.
“Mendoj se ishte e domosdoshme të vazhdojmë takimet e nivelit të lartë që të kuptojmë ku jemi, sidomos në kohën kur shtetet anëtare po e diskutojnë propozimin tim për t’i hequr sanksionet ndaj Kosovës. Nëse këto sanksione hiqen – shpresoj që po, të paktën ky është propozimi im, edhe nëse gradualisht, por shpejt – mund të krijojnë një skenar në të cilin dialogu, jo që po them se do të vazhdojë, por të paktën s’do të mbyllet në mënyrë të papritur”, tha Borrell.
Por në Kosovë përfaqësuesit e partisë në pushtet kanë thënë se nuk pranojnë që Kosova të kushtëzohet me asgjë tjetër për heqjen e masave, të cilat i kanë cilësuar të padrejta. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj tha se Bashkimi Evropian nuk duhet ë ledhatojë më tutje Serbinë.
“Le të kushtëzohet nëse duan le ta bëjnë por ne se pranojmë.. Le te bëjnë kushtëzime. le ta bëjë ledhatimin e Serbisë mirëpo ne jemi republikë, pra s’mund t’ua pranojmë heqjen e masave dhe ju bëne asociacionin. … Serbia duhet të ndalet së ledhatuari nga BE-ja”, tha Rexhaj për rtv21.
Por deputeti PDK-së Rashit Qalaj tha se për heqjen masave Kosova mund të kushtëzohet edhe me dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në kushtetuese.
“Lutemi dhe shpresojmë të hiqen do të ketë edhe gjera tjera sepse se dimë çfarë zotime ka marrë Kosova dhe çfarë ka pranuar te zbatojë. Ne kemi pasur rezerva tona si PDK sa i përket marrëveshjes dhe aneksit duke thënë se është jo e plotë sepse nuk përfshinë njohjen. Shpresoj qe jo edhe pse frikohem se prapë dhe këto masa do të qëndrojnë në fuqi duke e kushtëzuar Kosovën edhe me dërgimi draft statutit të asociacionit.”, tha Qalaj.
Masat ndëshkuese ndaj Kosovës BE-ja i vendosi më shumë se një vit më parë pas tensioneve në veri të vendit. BE kërkoi nga Kosova që të përmbushë tre kushte themelore për shtendosje të situatës dhe e vuri nën masa shtrënguese Kosovën për ta detyruar atë të zbatojë kushtet. Vendimi për heqjen e masave tani është në duart e shteteve anëtare teksa është thënë se ato mund të hiqen pjesërisht dhe gradualisht. Për pushtetin heqja e pjesshme e masave përbën një, siç thuhet,turp për BE-në..
“Kjo do ishte jo e padrejte por do ishte turpi i turpit. Pra nëse bene një gjë le ta mbron turpin e vetë”, tha Rexhaj.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell në raportin e tij rekomandoi që Kosovës t’i hiqen masat, ndërkaq Prishtina të shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë që të ulen tensionet dhe që të shmangë veprimet e pakoordinuara./RTV21/21Media