“Kushtet e Kurtit nuk përkojnë me realitetin që gjendet Kosova”

Kryeministri Albin Kurti, i ka ripërseritur tri kushtet për palën serbe përpara vazhdimit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve. Sipas tij, për aq kohë sa Radoiçiq dhe grupi i tij është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim. Opozita ka kritikuar kryeministrin Kurti se me dialogun po sjellët sikur të mos ketë përgjegjësi për Kosovën. Sipas opozitës, kushtet e Kurtit nuk përkojnë me realitin në Kosovë.
Bashkimi Evropian do të tentojë edhe një herë që t’i bëjë bashkë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq pas dështimit të takimit trepalësh dy ditë më parë në Bruksel. Siç e ka konfirmuar kryeministri Kurti, BE-ja synon që më dy korrik të thërras edhe një takim të nivelit të lartë.
Por, Kurti i ka ripërsëritur edhe një herë tri kushtet që duhet t’i plotësojë pala serbe.
“Për të garantuar respektimin e marrëveshjes në të ardhmen duhet që ajo të nënshkruhet, sepse vetëm nënshkrimi garanton zbatimin e saj dhe të ketë tërheqje të letrës së Bërnabiq dhe nënshkrim të marrëveshjes nga Vuçiq. Në tri takime bilaterale ne paraqitëm këto kërkesa të garancisë që në fakt janë mburojë për vetë marrëveshjen bazike që është në sulm nga Serbia. Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm për asnjërën, as të nënshkruajë marrëveshje, as të tërheqë letrën për refuzimin e saj, por as të dorëzojë kryekriminelin Radoiçiq”, tha Kurti.
Pas dështimit të takimit trepalësh, shefi i politikës së jashtme të BE-së e kishte quajtur fatkeq dështimin e takimit trepalësh si rezultat i kushteve të vëna nga kryeministri Kurti. Borrell tha se diskutimet duhet të vazhdojnë për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.
Ndërkohë, nënkryetarja e PDK-së, Mimoza Ahmetaj, tha se tri kushtet e kryeministrit Kurti nuk përkojnë me realitetin në proces të dialogut.
“Kurti i është drejtuar votuesve të VV-së dhe nuk ka shkuar në Bruksel të marrë vendime për vendin. Ai është sjellë me dialogun sikur të mos të kishte përgjegjësi për vendin”, tha Ahmetaj për rtv21.
Por, për deputetin e VV-së Armend Muja, kushtet e Kurtit ishin sinjal për BE-në për ta kuptuar se Qeveria ka të drejtë në kërkesat e saj.
“Brukseli më në fund e ka kuptuar se Qeveria kishte të drejtë sidomos në kushtin e tretë për Radojiciqin”, tha Muja.
Nënkryetarja e PDK-së Mimoza Ahmetaj e quan dobësi të kryeministrit Kurti refuzimin e ballafaqimit me presidentin serb.
“Dialogu është tavolina në të cilën kryeministri do të duhet të ja thoshte në sy presidentit serb të gjitha ato kërkesa dhe jo të ikte nga tavolina e diskutimeve”, tha tutje ajo.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq akuzoi kryeministri Kurti për dështimin e takimit trepalësh. Ripërseriti se Serbia nuk heq dorë nga kërkesa për themelimin e Asociacionit.
“Ata nuk dëshirojnë vetëm njohje “de fakto” por njohje “ de jure” kjo është ajo çka kërkojnë e dëshirojnë. Është tërësisht e qartë se Kurti nuk dëshiron të formojë Asociacionin”, tha Vuçiq.
Kryeministri Kuri pas takimeve në Bruksel me Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak tha se Asociacioni nuk është prioritet i pikave të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe Ohër. Derisa takimet e nivelit të lartë Kurti-Vuçiq po dështojnë, BE-ja ka paralajmëruar një takim të nivelit të kryenegociatorëve midis Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviq./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?