Kushtet e Kurtit me pasoja për Kosovën!

SHBA-ja i ka kërkuar Qeverisë të lëvizë urgjentisht për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për interpretim si obligim i marrëveshjes së Brukselit dhe anëksit të Ohrti. Por, Qeveria ka refuzuar duke e cilësuar draftin evropian të dëmshëm për vendin. Përfaqësues të partisë në pushtet kanë kërkuar fillimisht që Serbia të zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes pa e veçuar Asociacionin si prioritet. Opozita shprehë shqetësim se Kosova po shkon drejt izolimit nga faktori ndërkombëtar pasi, siç thotë, Kurti ka pranuar Asociacionin në marrëveshje dhe tash po vendos kushte për të.

Vendosja e kushteve të kryeministrit Kurti për vazhdimin e bisedimeve me palën serbe vazhdon të ngjallë reagime ndër përfaqësues politik në vend dhe ata ndërkombëtarë.

Ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës t’i kryej obligimet e saj për themelimin e Asociacionit mbi një propozim evropian i cili, sipas tij, nuk ka kompetenca ekzekutive.

“Të jemi të qartë, ky nuk është non-paper, ky nuk është diçka që ne thjesht ua dorëzuam atyre rastësisht. Ne e dorëzuan atë duke thënë se besojmë se [drafti] krijon një Asociacion që i mbron të gjitha shqetësimet që i keni paraqitur ju, i cili nuk kërkon asnjë ndryshim në Kushtetutën e Kosovës. I cili nuk ka autoritet ekzekutiv. Kjo i mjafton Kosovës për ta përmbushur detyrimin e saj për themelimin e Asociacionit përmes këtij drafti”, tha Hovenier.

Qeveria kishte refuzuar draft-statutin e asociacionit të hartuar nga euroamerikanët duke e quajtur shkrim gazetash dhe letër pa adresë. Përveç tri kushteve të fundit, kryeministri Albin Kurti në fillim të vitit që lamë pas kishte paraqitur edhe gjashtë kushte të tjera për themelimin e Asociacionit. Ndër to, Kurti kërkonte që Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe të zbatohej pas njohjes reciproke. Por, muaj me vonë në Ohër Kurti dhe Vuciq ishin pajtuar për zbatimin e aneksit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi ku në pikën e shtatë parashihej vetmenaxhimi.

Deputeti i VV-së, Driton Hyseni, tha se as ndërkombëtarët, por as Serbia nuk duhet të kërkojnë vetëm themelimin e Asociacionit.

“Ajo çfarë Kosova ka ofruar është zbatimi i të gjitha pikave të marrëveshjes së saj. Përderisa kemi palën serbe e cila po e minon marrëveshjen është jo racionale që Kosova të ndërmerr hapa të përmbushë disa pika e Serbia në mënyrë të drejtpërdrejtë sfidon institucionet e Kosovës”, tha Hyseni.

Partitë opozitare shprehin shqetësim se Qeveria po e rrënon të ardhmen evropiane të Kosovës me ndryshimet e qëndrimeve në raport me dialogun dhe asociacionin.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se kryeministri Kurti kishte vendosur kushte edhe në ta kaluarën të cilave nuk i ishte përmbajtur.

“Marrëveshja është pranuar nga kryeministri Kurti. Ndonëse tash ka kthim prapa duke vendosur kushte. Kjo nuk është hera e parë që Kurti vendos kushte në raport me dialogun Kosovë-Serbi, atëherë e shohim që përveç statu-quos dhe prolongimit të këtij procesi i cili do ta godas edhe procesin integrues të Kosovës. Qasjen refuzuese dhe arrogante të Qeverisë në raport me kërkesat e faktorit ndërkombëtar e kemi parë edhe me herët”, tha Deliu.

Ndërsa, deputetja LDK-së Rrezarta Krasniqi i ka kërkuar Qeverisë që të respektojë pikat e marrëveshjes që kishte pranuar në Bruksel dhe Ohër ku bënë pjesë edhe Asociacioni, përpara se t’i vendos kushte SHBA-së dhe BE-së.

“Ju e patë edh deklaratën e ambasadorit Amerikan i cili tha se nuk kanë marrëdhënie të mira me Qeverinë sepse kanë marrë vendime të një anshme. Dhe sa për kushtet e kryeministrit Kurti ju e dini se ndryshe thotë në Kuvend, ndryshe ka thënë në Bruksel. I ndryshon ai se ka problem. Me tjera parime ka ardhë në pushtet dhe ndryshe po vepron”, tha Krasniqi për rtv21.

Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj është më e ashpër në kritikat e saj ndaj Qeverisë. Shqetësimi më i madh i saj është se Kurti nuk ka parime si kryeministër.

“Kurti tash e ka vërtetuar se është një mashtrues i madh. Me mashtrime ka ardhë në pushtet. Ai se ka respektuar as kushtetutën e Kosovës. Pa parime po e udhëheq shtetin dhe po shkon në dialog. Po i sjellë vendin dëme”, tha Kadrijaj për rtv21.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar pasoja për Kosovën dhe Serbinë nëse nuk zbatohen të gjitha pikat e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve./RTV21/21Media

 

Back to top button