Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vjet burgim nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale.
Ai është shpallur fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër së paku 18 personave dhe në pikën e vrasjes së paligjshme kundër një personi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës.
Gjykata ka thënë se akuza e trajtimit mizor është mbuluar tërësisht nga ajo e torturës dhe nuk është shqyrtuar më tej nga Gjykata.
Prokuroria ka kërkuar dënim prej 28 vjetësh për Shalën.
Pjetër Shala, shtetas belg, i njohur më parë me nofkën “Ujku”, është deklaruar më parë i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Pjetër Shala ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Gjykata Speciale funksionon sipas ligjeve të Kosovës dhe aktualisht heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Deri më tani, kjo Gjykatë e ka marrë një vendim lidhur me hetimet për krime lufte.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar në dhjetor të vitit 2022 me 26 vjet burgim për krime lufte. Më vonë, Apeli ia ka ulur dënimin në 22 vjet burgim.
Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë, por më pas janë liruar me kusht.
Përveç Mustafës dhe Shalës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Gjyqi ndaj tyre është duke vazhduar./21Media