A po dështon sistemi i sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë?

Zëvendëskryetari i komisionit për siguri në Kuvendin e Kosovës, Enver Dugolli ka vlerësuar se arratisja e Faton Hajrizit nuk ka shpërfaqur një dobësi të sistemit të sigurisë dhe se rasti i tij është rasti i izoluar. Dugolli tha se shërbimet korrektuese e kryejnë mirë punën e tyre dhe se Hajrizi është arratisur nga një burg gjysmë i hapur.

“…shërbimi korrektues ndjek procedura hetimore dhe verifikon se a është gati që personi të lirohet apo jo. Ajo që dua të them është se ky është rast i izoluar dhe nuk ka raste të tilla në rritje pra shërbimi korrektues i Kosovës ka mjaft të arritura:::”, tha Dugolli.
Të paktën tre të burgosur u arratisen nga burgjet e Kosovës në një periudhë të shkurtër kohore ndërkaq brenda dy dekadave rreth 56 prej tyre janë arratisur. Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha thotë se para se të ndodhin arratisjet e fundit me vendim të ministrisë së drejtësisë u çarmatosën gardianët e burgjeve. Ai tha se me këtë veprim është bërë më e lehtë që të burgosurit të arratisen. Hiseni thotë se duhet të shqyrtohet dhe analizohet edhe puna e Shërbimit Korrektues për të mitur.

“Muaj më parë ministria e drejtësisë Albulena Haxhiu mori vendim që ti carmatose gardianët e burgjeve normale që të burgosurit do ta kenë më të lehtë të konfrontohen me ta. Duhet ta keni parasysh se në burgje ka lloj lloj individi. Pastaj rasti i Faton Hajrizit, pse të merremi me pasojat kur duhet të merremi me çështje të tjera, a i shikon ndokush burgjet për të mitur çka ndodh në këto burgje çka prodhohet aty::::::::::::::::::”, tha Berisha.

Gjykata në Prishtinë të hënën i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji dy të dyshuarve të cilët i dhanë ndihmë Faton Hajrizit për tu arratisur nga burgu i Smrekonicës. Hajrizi pas arratisjes, javën e kaluar u vra në shkëmbim të zjarrit në një fshat në kufirin e Serbisë me Republikën Serbe, vetëm një ditë pasi vrau një pjesëtar të policisë serbe. Profesori i së drejtës penale Ismet Salihu, thotë se shërbimi korrektues si institucion qëndron më mirë se ato të rajonit por sipas tij shteti dështoi pasi që u bë kohë që nuk falet asnjë i dënuar.

“ shteti duhet të përdorë institucionin e faljes dhe amnistisë, ka 3 vjet që nuk falet asnjë i burgosur kjo nuk është në rregull. Çdo njeri meriton një mundësi të dytë, pra duhet të përdorë faljen”, tha Salihu.

Mos falja e të burgosurve e cila është e drejtë e presidentes nga njohës të fushës së drejtësisë, është vlerësuar si shkelje e të drejtave të njeriut. Presidentja Osmani gjatë 3 vjetëve nuk fali asnjë të burgosur./RTV21/21Media

Back to top button