Opozita e quan kriminale mospërmendjen e humbjes së mostrave të Deharit dhe djegien e IML-së nga LVV-ja

(Lajm i përditësuar)


Opozita ka reaguar pas konferencës së Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me rastin e Astrit Deharit, duke thënë se nuk është përmendur fare djegia e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe humbja e mostrave të Deharit gjatë kohës kur ky parti është në pushtet.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se kjo është e papranueshme dhe e turpshme.

“Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tre vjet në pushtet, gjatë të cilëve nuk është bërë asgjë për të zbardhur rastin Dehari, përkundrazi Instituti i Mjekësisë Ligjore është djegur dy herë, sot LVV vendosi të organizojë një konferencë për media para Prokurorisë Speciale, duke kërkuar drejtësi për Astrit Deharin. A është kjo drejtësia që keni premtuar qytetarëve të Kosovës dhe familjes Dehari? Kjo është e papranueshme dhe e turpshme”, ka shkruar Gruda në Facebook.


Bajrami: VV nuk e tha asnjë fjalë për humbjen e mostrave të Deharit në IML

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka reaguar pas aksionit që ka mbajtur Lëvizja Vetëvendosje para Prokurorisë Speciale të Kosovës për rastin e Astrit Deharit.

Bajrami ka pohuar se ndjen dhimbje për rastin e Astrit Deharit, por që është e turpshme konferenca e VV-së.

“Ndjej dhimbje në shpirt për Astrit e Arbnor Deharin. Për prindërit e tyre, për gjithë familjen e tyre. Drejtësia duhet të shkojë deri në fund. E turpshme dhe kriminale që sot Sami Kurteshi në emër të LVV-së nuk e përmendi faktin se në kohën kur këta vetë po qeverisin kanë ndodhur edhe ngjarje tjera lidhur me këtë rast”, ka reaguar Bajrami.

Tutje, ajo ka shtuar se VV nuk ka folur për humbjen e mostrave të Deharit në IML.

“Në konferencën që sapo përfundoj Vetëvendosje nuk tha asnjë fjalë për humbjen e mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore që është nën menaxhimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Asnjë fjalë për djegien e Institutit të Mjekësisë Ligjore”, shtoi ajo.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një aksion para Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Para prokurorisë janë vendosur disa banerë për prokurorë e gjyqtar të cilët janë pensionuar dhe rasti i Astrit Deharit ende nuk ka përfunduar.

Back to top button