Hendbollistet e Kosovës shënojnë fitoren e parë në Kampionatin Botëror

Hendbollistet e Kosovës U18 kanë arritur sukses historik të shtunën në mëngjes.
Ato e kanë shënuar fitoren e parë në Kampionatin Botëror që po mbahet në Chuzhou të Kinës.
Hendbollistet tona kanë dominuar plotësisht ndaj Indisë dhe kanë fituar me rezultat të lartë, 25:14.
Kjo është hera e parë që një Kombëtare e Kosovës te vajzat, në të gjitha sportet ekipore, është kualifikuar dhe paraqitet në Kampionat Botëror.
“Në dy ndeshjet e para, vajzat tona kishin përballë Kombëtare të nivelit më të lartë ndërkombëtar, Brazilin dhe Francën. U pësuan humbje, por prej fillimit fokusi ishte te fitorja ndaj Indisë. Tani Kosova U18 vazhdon garimin për plasman nga pozitat prej 17 deri në 32. Do të ketë sërish fazë grupore, ku synohen të tjera fitore. Kontribut në fitoren historike ndaj Indisë kanë dhënë të gjitha lojtaret. Më efikasja ishte Diona Dreshaj me 7 gola. Pesë i realizoi Arjeta Imeraj e katër Andra Uglani”, thuhet në njoftimin e Federatës së Hendbollit.
Ndeshjen e ardhshme Kombëtarja e Kosovës do ta ketë menjëherë të dielën. /21Media