Begaj porosit ambasadorët: Kosova duhet të mbështetet në çdo rrethanë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj u ka bërë apel ambasadorëve dhe konsujve që t’u shërbejnë shqiptarëve kudo ku ata jetojnë e punojnë.
Në pritjen e organizuar në Presidencë, Begaj iu drejtua ambasadorëve dhe konsujve se duhet të krijojnë lehtësirat e nevojshme për shqiptarët në vendet ku ata shërbejnë.
Po ashtu ai foli edhe për Kosovën. Begaj porositi ambasadorët ndihmuar Kosovën në çdo rrethanë si dhe për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor ku shqiptarët kanë një zë dhe rol vendimmarrës mbetet realiteti politik dhe ekonomiko-shoqëror, ku diplomacia shqiptare duhet të thotë fjalën e vet me të gjitha argumentet bindëse për të garantuar të ardhmen euroatlantike të kësaj pjese të shqiptarisë. Kosova nuk duhet të mbetet si një çështje që përsëritet vazhdimisht, por duhet të jetë pjesë integrale e aksionit tonë diplomatik. Diplomacia duhet të vijojë mbështetjen pa kushte për Kosovën. Kosova duhet të mbështet kudo e kurdo, në çdo rrethanë dhe situatë. Është detyra jonë të punojmë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare e rajonale si dhe për njohje të reja të saj”, nënvizoi Begaj.
“Shqipëria nuk është më ajo e 30 viteve më parë, gëzon prestigj dhe vend të merituar në arenën ndërkombëtare. Vendi ynë tregoi pjekuri gjatë kryesimit të OSBE-së dhe mandatit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Bashkëpenëmbajtja me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Ukrainën, çështjen e paqes dhe sigurisë ishte kulmimi i maturimit të politikës sonë të jashtme”, ndërsa shtoi se “interesat tona kombëtare, partneritetet strategjike, roli si vend anëtar i NATO-s apo objektivi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbeten të pandryshuar si shtylla të politikës sonë të jashtme dhe të aksionit tonë diplomatik”, tha Begaj.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?