Tetaj: E kemi dëgjuar Hashim Thaçin duke thënë se shumë shpejt me ty do ta kryej

(Lajm i përditësuar)
Dëshmitari Rrustem Tetaj tha se kur u bë ndryshimi i pozitave në mes Ramush Haradinajt dhe Tahir Zemajt, kishte ndodhur një tension në Zhabel të Dukagjinit.
Ai tha se e kanë dëgjuar Hashim Thaçin në një shator me Tahir Zemajn, duke thënë që ‘shumë shpejt do ta kryej me ty’, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht, dëshmitari tha se për këto ndryshime nuk ishin pajtuar askush aty duke, përfshirë edhe Tahir Zemajn.
“Aty nuk janë pajtu as Tahiri as nuk janë pajtu Hashim Thaçi.. krejt qëllimi që s’jem pajtu është se Tahiri e lypke dhe të gjithë ne e lypshim se kush është komandant nëse ne jemi komandantë të zonave, nënzonave të UÇK-së e dojshim me e ditë se kënd e kishim komandat të Shtabit të Përgjithshëm. Këta nuk na kanë tregu. Kur thanë ‘këta’ është Hashim Thaçi që ka ardhë dhe atëherë qaty kanë lindë problemet dhe u kanë një shator më tutje, janë hi atje tek telefoni satelitor kanë folë dhe kanë bërë kontakte përmes telefonit satelitor me nuk e di me Shtab të Përgjithshëm, me Ahmet Krasniqin e s’po di”, tha Tetaj.
“Nuk e di se çka kanë folë, por disa zëra janë dëgju dhe ka qenë një tension”, theksoi dëshmitari, duke thënë se kjo ka qenë një situatë e palakmueshme dhe ka pasur mundësi që të ketë pasoja.
Ai tha se në atë takim dëgjohej një zë i pakëndshëm duke përshkruar zërin e Thaçit.
“Aty dëgjohej një zë i pakëndshëm, por ishim tanë dhe duhet ta konfirmoj se aty e kemi ni Hashim Thaçin t’u thanë se shumë shpejt me ty do ta kryej. E tash me kanë, qysh, nuk e di”, tha Tetaj.
Tetaj, gjithashtu u pyet se çfarë do të thoshte me frazën se ‘ka dëgjuar zë të pakëndshëm’.
“E kam pas në mes të Tahirit dhe Hashim Thaçit në lidhje me postin e Komandantit të Shtabit Rajonal të Rrafshit të Dukagjinit. Zëri i tij ishte i nervozum”, tha Tetaj, kurse rreth asaj se a e kishte zërin e ngritur, u përgjigj “jo edhe qaq, por dëgjohej mirë ata dy në mes vete, Tahiri dhe Hashimi por me nervozë kanë folë”, tha Tetaj.
Po ashtu, ai tha se të gjithë atë që kanë qenë aty e kanë dëgjuar këtë fjalë nga Thaçi vetëm në rast që nuk duan të flasin lidhur me këtë.
Përpara kësaj, Tetaj shpjegoi se si erdhi situata deri tek ky tension në Zhabel.
“… është emëru komandant Rajonal të Dukagjinit, me pëlqimin e 14 fshatrave përreth dhe detyrën e zëvendësit e ka pranu Ramush Haradinaj edhe jemi pajtu të gjithë dhe ma s’ka pas kurrfarë divergjence e kurrfarë shqetësimi mes nesh. Mirëpo, prezenca dhe ardhja e Hashim Thaçit një ditë përpara kur ka dëgju, unë në aty atë ditë nuk kam qenë dhe këta e kanë caktu një takim të rregullt në fshatin Zhabel pas datës të emërimit të Tahir Zemajt… edhe për këtë takim jam informu nga Tahir Zemajt”, tha Tetaj.
Dëshmitari tha se ka refuzuar që të shkojë vetë ai në Zhabel, por që sipas tij kishte insistuar Tahir Zemaj. Në atë takim, tha se ua kanë dhënë disa pliko në të cilat secili i ka parë detyrat e veta se në çfarë rangu ishin të caktuar e që kanë qenë të nënshkruara nga Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, por pa emër.
Tetaj tha se nga aty kanë lindur problemet kur kanë parë dokumentet pa emër komandanti dhe kanë refuzuar që t’i nënshkruajnë.
Në këtë takim, Tetaj tha se Ramush Haradinaj e mori detyrën e komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, ndërsa Zemaj si zëvendës i tij.
Ndryshe, Tetaj tha se ka pasur presion që mos të ekzistonte FARK-u. I pyetur se kush po e ushtronte këtë presion, dëshmitari tha se ‘me emër më së shumti është cekur Hashim Thaçi’.
Dëshmitari tha se Tahir Zemaj shpeshherë ka treguar se kanë pasur probleme lidhur me çështjen e FARK-ut dhe fotografinë e Ibrahim Rugovës.
Tetaj: Sa herë ka ardhë Thaçi ne kemi pasur pak probleme, kishte presion
Dëshmitari Rrustem Tetaj teksa foli për takimet me Hashim Thaçin në Kazermën e Prapaqanit, tha se sa herë shkonte tashmë i akuzuari atje, ata kishin nga pak probleme.
“Sa herë ka ardhë Hashim Thaçi ne kemi pas pak probleme në kazermën e Prapaqanit bash mu për këtë se ishin dy fraksione. Kishin divergjenca të mëdhaja në mes, a në realitet ishim një Ushtri”, tha Tetaj.
Përpara kësaj, dëshmitari tha se në zyrën e tij e ka pasur një fotografi të Ibrahim Rugovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ka qenë fotografia e Rugovës, kështu që asokohe ka qenë më shumë aktuale që të merren me Ibrahim Rugovën dhe anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës sesa vetë me ushtrinë ose me organizimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Tetaj.
Ai shtoi se ka pasur presion në atë kohë që asgjë të mos jetë në emër të Ibrahim Rugovës.
“Presioni ka qenë që kurgja mos me qenë në emër të dr. Ibrahim Rugovës. Kur them asgjë them që as fotografia, njerëzit që ishin anëtarë të LDK-së. Megjithëse atëherë sa më kujtohet, të gjithë ne ishim ushtarë”, tha dëshmitari.
Gjithashtu, dëshmitari tha se në atë zonë, atë kohë ishin dy fraksione që vepronin por që në realitet të gjithë ishin ushtarë.
“Me të thënë të drejtën aty ishte biseda që ishin dy fraksione si Ushtri Çlirimtare të Kosovës dhe Forca të Armatosura të Kosovës me emrin FARK. Ishte presion largimi nga FARK-u dhe të jemi pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës a në realitet ishim të gjithë ushtarë. Më tepër kanë qenë ato pyetjet, tani nuk më kujtohet më shumë por e di që ndërhyrja ka qenë në lidhje me Forcat e Armatosura të Kosovës me emrin e quajtur FARK”, tha ai.
Ai shtoi se e gjithë tema e takimit ishte për fërkimet në mes UÇK-së dhe FARK-ut.
“Vetë takimi dhe prezenca e Hashim Thaçit që ishte prezent, ai ma tepër ka folë se sa tjerë në ato momente, mirëpo me iu thënë të drejtën të gjitha ato sot nuk më kujtohen. Kanë kalu kohë e gjatë kështu që me mendu saktësisht çka kemi folë është e pamundshme me i majtë në memorien time. Iu thash se krejt tema ka qenë për fërkimet në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Kosovës- FARK-ut”, tha ai.
Rrustem Tetaj tregon se tri herë është takuar me Thaçin gjatë kohës së luftës
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Rrustem Tetaj tha se me ish-Presidentin Hashim Thaçin është takuar tri herë gjatë kohës së luftës.
“Sa më kujtohet mua, kjo ka qenë para emërimit të Tahir Zemës që jam taku, nja dy herë që e kam taku Hashim Thaçin. Një herë e kam pa, s’kam pas kontakt shumë me ta. Dytën herë ka qenë në zyrën time dhe ka qenë edhe një person tjetër. Në rroba civile, nuk ka pas uniformë. Prezent ka qenë edhe Bislim Zyrapi. Po gjithqysh u kanë përpara, para të 21-it kur Tahir Zemaj është emëru komandant i Rrafshit të Dukagjinit”, tha Tetaj.
Ndërsa më vonë, tha se e kishte takuar Thaçin në Zhebel, afër Bardhaniqit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Dy herë e kam pa në Prapaqan dhe njëherë jemi taku në Zhebel”, tha dëshmitari Tetaj.
Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua edhe një dokument që tha se kanë qenë shabllone si leje udhëtimi në zonën ku ai ka vepruar.
Ky dokument, prokurori Nathan Quick kërkoi që të pranohet në prova materiale, mirëpo kjo gjë u kundërshtua nga mbrojtja e Selimit. Megjithatë, dokumenti u pranua në prova gjyqësore.