Kurti priti në takim Atiqin folën për bashkëpunime të reja ndërmjet komunave në veri të vendit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi mirëpritën sot në Ballkonin e Hapur për një mëngjes pune, Kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nënkryetaren, Katarina Ađančić dhe drejtues të drejtorive komunale të kësaj komune, njofton Zyra e Kryeministrit.

“Temat qendrore ishin qeverisja komunale, arritjet dhe sfidat, dhe bashkëpunimi me nivelin qendror. Kryeministri Kurti dhe ministrat Rašić dhe Krasniqi u njoftuan rreth punëve të drejtorive, shërbimeve komunale të cilat po shtohen në vazhdimësi, investimeve në mirëmbajtjen e rrugëve e hapësirave publike dhe bashkëpunimit me agjencitë qendrore. Nga drejtorët komunalë u veçua progresi dhe përgatitjet për fillimin e procesit të legalizimit të objekteve dhe hartimit të planit zhvillimor, krijimi i databazës për rastet sociale që kanë nevojë për mbështetje institucionale, rekrutimi i stafit të ri profesional, funksionalizimi i zyrës komunale të Agjencisë për Regjistrimin e Biznese ku deri më tani janë regjistruar 89 biznese, pastaj funksionalizimi i intranetit dhe fillimi i digjitalizimit të arkivës si dhe planet për ofrimin për herë të parë të shërbimeve digjitale përmes e-kioskut.”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua edhe rreth mundësive për bashkëpunime të reja përfshirë ato ndërmjet komunave në veri të vendit dhe për projekte të reja për çka është e nevojshme mbështetja e Qeverisë.

Kryeministri Kurti i përgëzoi drejtuesit dhe stafin e Komunës së Mitrovicës së Veriut për punën dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarë, pa dallim, për përbërjen multietnike të kabinetit qeverisës dhe për bashkëpunimin e mirë e profesional me ministritë dhe Zyrën e Kryeministrit në realizimin e projekteve në interes të komunës.
“Ai i ofroi kryetarit Atiq dhe nënkryetares Ađančić, mbështetjen e plotë të tij edhe të ministrive të linjës në adresimin e kërkesave dhe propozimeve të tyre që për qëllim kanë zhvillimin ekonomik e social të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe rritjen në cilësi dhe efikasitet të shërbimeve ndaj qytetarëve.”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button