Renovimet e shkollave shkaktojnë telashe në proces mësimor

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Dardania” në kryeqytet, ende nuk ka filluar zbatimin e orarit të rregullt të procesit mësimor, për shkak se një pjesë e hapësirës shkollore është në renovim.

Zëvendësdrejtori i kësaj shkolle Arben Fejza thotë se mësimi i rregullt, pritet të filloj në muajin nëntor.

“…kjo pytje do duhej ti bëhej donatorit, zyrës së BE-së dhe punëkryesit. Kjo nuk varet prej nesh, puna dhe procesi. Po shpresojmë që me fillim të nëntorit të kthehemi me orarë të rregullt e ka mesi i nëntorit të kthehemi me pjesën tjetër…”, tha Fejza për rtv21

Ndërsa për ministren e arsimit, Arbërie Nagavci, e vetmja shkollë ku mësimi ka filluar me vonesë është shkolla “Ahmet Gashi” në Prishtinë, ku ajo sot ishte prezent në hapje, pas renovimit.

“…ka fillu, shkolla e vetme që ka fillu me vonesë ka qenë shkolla këtu në Prishtinë dhe kryetari Rama mund të ju jap më shumë informata për këtë shkollë…”, tha Arbërie Nagavci

Ndërsa, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se kryeqyteti po zbaton me sukses reformën në arsim, përfshirë mësimin gjithëditor në disa shkolla,  të kryeqytetit këtë vit. Ai foli edhe për investimet në infrastrukturën shkollore.

“…gjatë viteve kemi realizuar renovimin e 22 shkollave ndërsa 5 të tjera janë në proces të përmirësimeve të rëndësishme. Këto punime sigurojnë që nxënësit në kryeqytet të kenë mjediset më moderne të sigurta e komode. Gjithashtu në disa shkolla po e bëjmë modelin e mësimit tërë ditorë, që do të ndihmoj në permirësimin e përvojës arsimore…”, tha Rama.

Reforma në arsim, për ish-ministrin e arsimit, Rexhep Osmani, është vështirë e zbatueshme pa përmirësimi i teksteve shkollore si dhe ngritjen profesionale të mësimdhënësve.

“…unë mendoj që ngritja profesionale e arsimtarëve dhe përgatitja e tyre për ballafaqim me arritjet e reja, zhvillimet e reja dhe teknologjinë është një prej kushteve themelore. E pa një arsimtar të përgatitur, që është faktori kryesor i procesit mësimor…”, tha Osmani.

Në kryeqytet u bë përurimi i shkollës “Ahmet Gashi” pas një renovimi që u mundësua nga një donacion i Ambasadës Amerikane në Kosovë, në vlerë prej 600 mijë dollarëve./ RTV21/21Media

 

Back to top button