Tre kongresistë amerikanë i bashkohen Kaukusit Shqiptar

Joe Morrelle është kongresisti tjetër amerikan që i bashkohet Kaukusit Shqiptar, pas Grace Meng nga New Yorku dhe Seth Moulton Massachusetts.
Kjo ka ndodhur pas takimit që ai kishte ditë më parë me botuesin e gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami, nga i cili iu kërkua që të bëhej pjesë e këtij grupi kongresistësh që ndihmojnë çështjen shqiptare.
Kongresisti Morelle ka deklaruar se i është bashkuar Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kaukusin Amerikan.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se i jam bashkuar Kaukusit Kongresional të Çështjeve Shqiptare. Kjo nënvizon përkushtimin tim të thellë për të përforcuar marrëdhënien e Amerikës me Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit…”, thuhet në deklaratën e Morelle.
Ai thotë se është gati t’u bashkohet veprimtarëve dhe kolegëve në Kongres për t’iu përgjigjur kërkesave më të rëndësishme të komunitetit shqiptar.
Botuesi Vehbi Bajrami shprehu kënaqësinë për këtë njoftim. “Kur ia paraqita kërkesën gjatë bisedës sonë, e pranoi me kënaqësi dhe tani e mbajti premtimin”, tha ai.
Këto takime mbahen në kuadër të lobimit për Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që jetojnë në Ballkan. Një pjesë e kongresistëve dhe zyrtarëve amerikanë kanë shumë pak njohuri mbi problemet e shqiptarëve në Ballkan dhe forcën e komunitetit shqiptar në SHBA.
“Është e rëndësishme që lobimi ynë të mos ndalet”, thotë Vehbi Bajrami.
Kongresisti Morelle është një demokrat nga Distrikti 25 në veri të shtetit të Nju Jorkut, që përfshin qarqet Monroe dhe Orleans, me qendër qytetin Rochester. Ai bën pjesë në Komitetin e Fuqishëm të Përkatësimeve dhe është nënkryetar në Komitetin e Administrimit të Dhomës së Përfaqësuesve.
Kaukusi i Çështjeve Shqiptare bashkon kongresistë nga të dy partitë kryesore amerikane dhe lufton që zëri i shqiptarëve të dëgjohet në Uashington. Ai lufton për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë Veriore, Mal të Zi, dhe territore të tjera të banuara nga shqiptarët dhe e sheh të ardhmen e tyre në NATO dhe BE.